Mbi 1 mijë persona kërkuan shërim jashtë vendit, prijnë rastet me kancer

1 404 pacientë gjatë vitit 2019 kanë përfituar nga programi për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike shëndetësore të Kosovës, nga 1436 sa kishin aplikuar në tërësi.

Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi.Sipas tij, ka pasur edhe kërkesa të pacientëve për trajtim jashtë vendit e të cilat janë refuzuar për shkak të mos kompletimit të dokumentacionit që nevojitet.

“Janë diku gjithsej 1436 pacientë që kanë kërkuar, kanë aplikuar tek ne për trajtim jashtë, prej tyre dmth 1404 kanë përfituar nga programi, janë aprovuar kërkesat e tyre. Ndërsa siç jeni të njoftuar 100 pacientë ne kemi plotësuar ndoshta për herë të parë pas shumë viteve numrin për pacientë falas që kemi marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë së Turqisë, që ky numër është plotësuar qysh në muajin nëntor, kemi plotësuar 100 pacientë falas. Dmth si total është numri prej 1404, ka pasur edhe refuzime disa nga to, për shkak të mos kompletimit ose sjelljes së gjithë dokumentacionit përkatës ka pasur refuzim nga pjesa e bordit, nga pjesa e komisionit mjekësor. Por kjo shihet se ne kemi aprovuar për vitin 2019”, tha Plakiqi për Ekonomia Online.

Derisa pacientët nuk kanë pasur mundësi trajtimi në QKUK, numri i kërkesave për trajtim jashtë vendit është rritur nga viti në vit.

Sipas Plakiqit, gjatë vitit të kaluar ka pasur një trend të rënies të referimit të pacientëve për trajtim jashtë vendit, nga Klinika e Kardiologjisë.

Mirëpo, rritje ka pasur nga klinika e Oftalmologjisë.

“Sa i përket numrit, numri është afërsisht i njëjtë me një lëvizshmëri, ose ndryshim te pjesa e kardiologjisë, aty kemi numrin në rënie ndërsa numri në rritje që kemi vërejtur na është te pjesa që kanë referuar klinika e Oftalmologjisë, poashtu numër në rritje kemi edhe te klinika e Pediatrisë, që vetëm ndoshta këto dyja dhe ortopedia janë diku mbi 50 për qind me gjitha referimet që janë bërë nga QKUK-ja”, tregoi ai për Ekonomia Online.

Plakiqi më tej, tregoi se kërkesat më të mëdha për trajtim jashtë vendit janë për tumoret apo sëmundjet malinje, ku vitin që shkoi kanë qenë 400 raste.
“Ato që prijnë për nga numri, tumoret ose sëmundjet malinje janë gjithsej mbi 400 raste, kemi poashtu sëmundje të syrit ose nga oftalmologjia diku për mbi 350 raste dhe poashtu kemi edhe lëndime, helmime të rënda që vijnë për trajtim jashtë, sëmundjet e sistemit skiletor nga pjesa e pediatrisë”, u shpreh Plakiqi, duke theksuar se listën për trajtim jashtë vendit e përbëjnë fëmijët dhe të moshuarit.

Ndërkohë, nga Zyra për Informim në QKUK, thonë se referimet jashtë vendit, bëhen për rastet e transplanteve, leukemive akute si dhe për sëmundjet për të cilat nuk ofrohet tretman në klinikat e QKUK-së.

“Kryesisht referimet bëhen për rastet e transplanteve, leukemive akute si raste të rënda, por edhe sëmundje për të cilat aktualisht nuk ofrohet tretman në klinikat e QKUK-së. Në kuadër të klinikave të QKUK-së, ekzistojnë konsiliumet mjekësore që në rastet kur mjekimi nuk mund të ofrohet në klinika, atëherë referojnë përmes një formulari pacientin për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore. Në këtë formularë nënshkruhen 3 specialistë të klinikës dhe drejtori i klinikës, pra gjithçka vendoset në mënyrë konsiliare”, thuhet në përgjigjen e zyrës për Informim.

Në anën tjetër, Plakiqi shpreh një shqetësim për buxhetin e pamjaftueshëm i cili është 6 milionë euro.