Sipas shifrave të fundit nga Sekretariati Shtetëror për Migracionin (SEM), rreth 40,000 njerëz kanë fituar shtetësinë zvicerane në vitin 2019.
Siç dihet, ekzistojnë disa mundësi për këtë, duke përfshirë natyralizimin e zakonshëm (pas 10 vitesh qëndrimi në Zvicër), natyralizimin e thjeshtuar (për bashkëshortët dhe fëmijët e shtetasve zviceranë) ose birësimin e një fëmije të mitur.
Por cili shtet përfaqësohet më shpesh në mesin e 40,000 të sapo natyralizuarve?
Gjermania qëndron bindshëm në krye, në nivel vendi por pastaj ka dallime të mëdha kantonale: kufijtë vendorë dhe ata gjuhësorë kanë një efekt të kuptueshëm në natyralizimet. Për këtë arsye, gjermanët e natyralizuar janë numri 1 në shumë kantone që flasin gjermanisht.
Në Kantonin e Gjenevës dhe në atë të Vaudit janë francezët dhe në Ticino, sigurisht, italianët.
Por ka dhe përjashtime interesante: Në kantonet Jura, Solothurn dhe Uri, italianët janë në krye, pavarësisht ndryshimit gjuhësor në mes të këtyre tre kantoneve (Jura është kanton frankofon).
Portugezët janë në vendin e parë në Neuchâtel, Freiburg dhe Valais, përcjell albinfo.ch. Ndërsa një numër veçanërisht i madh i njerëzve nga Kosova janë natyralizuar në Kantonin e Lucernit dhe atë të Glarusit.
Gjermania, Italia, Kosova, Portugalia dhe Franca: Janë këto pesë shtete që përfaqësojnë numrin më të madh të shtetasve të natyralizuar në të gjithë Zvicrën në vitin 2019. Ato pasohen nga: Turqia, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Spanja.
20 vjet më parë kjo shpërndarje ishte shumë e ndryshme – në atë kohë pothuajse çdo person i katërt i natyralizuar ishte nga Italia. Përqindja e njerëzve nga Turqia gjithashtu ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i mijëvjeçarit. Ndërsa Kosova në atë kohë, meqë nuk njihej si shtet, përfshihej në kategorinë: “Serbia, Kosova dhe Mali i Zi”.
Kjo kategori në vitin 2000 përbënte 11.4% të të gjithë të natyralizuarve ndërsa në vitin 2019, këto tri shtete përbëjnë së bashku 11.8%. Këtu, Kosova ka pjesën dukshëm më të madhe. Me 3356 shtetas të rinj, ajo vjen pas Gjermanisë dhe Italisë, shkruan albinfo.ch. Nga Maqedonia e Veriut që është e shtata në listë, janë natyralizuar 1706 veta ndërda nga Serbia, e teta, 1364.