Mbi katër mijë gra e fëmijë ikin nga Ukraina në Moldavi

Më shumë se katër mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë ikur deri më tani përtej kufirit nga Ukraina në Moldavi.

Nuk dihet ende nëse të njëjtit do të qëndrojnë në Moldavi apo do të kalojnë në Rumani, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

Sipas CNN, një shpjegim për numrin e madh të grave dhe fëmijëve që janë duke ikur është se autoritetet ukrainase po pengojnë largimin e burrave të moshës ushtarake, por se për këtë ende nuk ka konfirmim nga autoritetet atje.

“Ne presim shifra shumë më të mëdha”, tha Roland Schilling, përfaqësues rajonal i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, për BBC nga Kishinau.

“Jemi në dijeni të radhëve të mëdha që krijohen në pikat kufitare. Ne po përgatisim përgjigjen tonë humanitare së bashku me agjencitë e tjera të OKB-së.”

OKB-ja ka paralajmëruar më parë se një pushtim i Ukrainës mund të shkaktojë një krizë në shkallë të gjerë refugjatësh.