Mbledhen nënshkrime për vendimin e Kushtetueses rreth Ligjit të Pagave

Mijëra nënshkrime të mësimdhënësve në 262 shkolla në gjithë vendin janë mbledhur brenda 10 ditësh, me kërkesë të Sindikatës së Arsimit.

Kjo sindikatë përmes këtyre nënshkrimeve, që do të vazhdojnë të mblidhen edhe gjatë javës së parë të janarit, po tenton që të kundërshtojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për paga, raporton KTV.

SBASHK -u këto kërkesa, tashmë i ka dorëzuar tek Institucioni i Avokatit të Popullit, i cili kishte kërkuar nga Kushtetuesja pezullimin e këtij ligji, shkaku i ankesave të shumta që kishte pranuar nga organizata të ndryshme.

Ymeri thotë se këtë iniciativë, e kanë ndërmarrë bazuar në rregulloren e Gjykatës Kushtetuese duke pretenduar se ka rrethana të cilat kanë ndryshuar që nga vendimi për pezullim.

Ndonëse Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, zyrtarë të SBASHK-ut thonë se nuk po bëjnë ndonjë shkelje ligjore me këtë veprim.

Sipas Sindikatës, rreth 8 milionë e gjysmë është dëmi i cili do t’i shkaktohet këtij sektori për katër muaj sa do të jetë i pezulluar ky ligj.

Në Institucionin e Avokatit të Popullit nuk janë përgjigjur nëse do t’i marrin parasysh kërkesat e kësaj sindikate.

Gjykata Kushtetuese e pezulloi hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat deri më 30 mars të 2020-s.

Vendimi për masë të përkohshme ishte marrë, duke miratuar kështu kërkesën e Avokatit të Popullit.