Mbrojtja e Gucatit thotë se ai dhe Haradinaj nuk janë kundër drejtësisë, por kanë kërkuar nga Specialja të hetohen të gjitha krimet

Mbrojtja e Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees në deklaratën e tij përmbyllëse të dhënë të martën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka thënë se Gucati e Haradinaj kanë kërkuar nga kjo gjykatë, që të hetohen të gjitha krimet dhe nuk janë kundër drejtësisë.

“Prokuroria përqendrohet dhe përjashton çdo gjë tjetër, heq fjalët e caktuara dhe merr vetëm ato fjalë të cilat do të mbështetet, prokuroria fokusohet se Gucati dhe të tjerët duan të zhbëhet gjykata përmes mjeteve ligjore, por ata nuk marrin parasysh kontekstin që e ka thënë vazhdimisht Gucait gjatë kësaj procedure, që ai dhe ata kërkojnë që të bëhet një gjykatë që heton të gjitha krimet, nuk janë kundër drejtësisë”, tha Jonathan Elystan Rees

Avokati Rees ka thënë se sa i përket shqetësimit të mbrojturit të tij që ka lidhur me këtë gjykatë dhe konsiderimin e tij se e njëjta është selektive ka arsye objektive për këtë, por se sipas Rees, Gucati kishte bërë thirrje për drejtësi për të gjithë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Por, në këtë pikë zotëri Gucati e ka shprehur shqetësimin e tij për gjykatën dhe ka në fakt arsye objektive për të mbështetur këtë qëndrim ose pikëpamje të tij pavarësisht nga fakti nëse jemi dakord me të apo jo, siç e kemi parë nga provat, shumë të përfshirë këtu edhe shumë anëtarë të shtypit në Kosovë ndajnë të njëjtën pikëpamje. Zotëri Gucati ka bërë thirrje për drejtësi për të gjithë, jo për drejtësi për disa”, tha Rees.

Lidhur me këtë, avokati Rees ka paraqitur si prova edhe disa nga deklarata e Gucatit të dhëna në media si dhe pranë kësaj gjykate.

Avokati Rees ka thënë se ZPS ka qasje të përgjithshme ndaj dy të akuzuarve dhe se sipas tij është e rëndësishme që vlerësimet e provave të bëhen veçmas për secilin.

“Deklarata e prokurorisë është një prej shembujve ku thuhet që i akuzuari ka thënë këtë e atë dhe vetëm përmes vlerësimit të hollësishëm të çdo poshtëshënimi mund të vërtetohet që në fakt fjalët kanë të bëjnë vetëm me një prej të akuzuarve dhe janë fjalë që janë thënë në mungesë të pranisë së të akuzuarit tjetër dhe për rezultat është e rëndësishme që këto gjëra të mund të specifikohen siç duhet nga prokuroria dhe të mos ketë qasjen e përgjithshme”, tha ai.

Ai ka thënë se në emër të mbrojturit të tij, i njëjti nuk guxon që ta udhëzojë gjykatën që të marrë një drejtim të caktuar ashtu siç ishte sugjeruar nga ZPS, por se sipas tij trupi gjykues do të bëjë vlerësimet dhe të japë vendimet e veta mbështetur në analizën e ligjit dhe provave që janë sjellë përpara kësaj gjykate.

“Teksti i pikave individuale sa i takon Gucatit që prokuroria ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm janë të sajuara”, tha ai

Sipas avokatit, ZPS në deklaratën e saj përmbyllëse ka përmendur prova të cilat nuk janë pranuar si provë nga kjo gjykatë dhe se të njëjtat nuk duhen të merren parasysh nga gjykata.

Deklaratat e prokurorisë se Gucati ka pasur për qëllim të minojë apo të kundërshtojë DhSk dhe rastin kur e njëjta ka përmendur çështjen që kishte ndodhur më herët e cila kishte çuar në frikësimin e dëshmitarëve, sipas avokatit Rees nuk janë të mjaftueshme.

“Nuk mjafton asnjë pikë që të vërtetohet apo përcaktohet propozimet e përgjithshme joligjore, propozime të tilla si p.sh. Gucati ka pasur qëllimin e vetëm që të minojnë apo që të kundërshtojë DHSK. Nuk mjafton për asnjë pikë që të përcaktojë propozimet që i ka dhënë prokuroria dhe disa çështje politike që i ka përmendur prokuroria janë çështje që kanë ndodhur rreth 10-15 vite më përpara që kanë të bëjnë me vështirësi që në mënyrë të përbashkët kanë çuar në një frymë frikësimi të dëshmitarëve në Kosovës”, tha ai.

Sot pritet të fillohet me dhënien e deklaratave përmbyllëse nga mbrojtja e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, sot pritet që të fillohet me dhënien e deklaratave përmbyllëse nga mbrojtja e ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Seanca e fundit për këtë rast është mbajtur më 14 mars, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.