Mbyllet qendra tregtare ku punonte e infektuara me koronavirus në Mitrovicë

Është konfirmuar rasti i parë me koronavirus në Mitrovicën e Jugut.

Kryetari i komunës, Agim Bahtiri ka bërë të ditur se e infektuara punonte në një qendër tregtare në këtë komunë, qendër kjo e cila është mbyllur përkohësisht.

“E infektuara është një 27 vjeçare me banim në lagjen Iliridë, e cila është punëtore e supermarketit ETC.

Gjendja e saj është e mirë, ani pse po trajtohet sipas protokolleve mjekësore të parapara në ShSKUK.

Pas konsultimit me anëtarët e Shtabit Emergjent kemi marrë vendim për mbylljen e përkohëshme të ETC-së, ndërsa gjithë punëtorët e kësaj qendre tregtare dhe personat që kanë pasur kontakt me të infektuaren do të testohen IKShP-ja”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.