Më pak të kthyer (riatdhesuar) sivjet, shteti i Kosovës thotë se po u ofron ndihmë

Ikën nga vendi për një jetë më të mirë, por atë nuk e gjetën. Shumë kosovarë, sikur vitet e kaluara, edhe këtë vit u riatdhesuan në vendin e tyre të lindjes. Kthimin disa e bën vullnetarisht, e të tjerë me forcë. Shkak kryesor i riatdhesimit sipas të dhënave zyrtare është mosplotësimi i kritereve për ta vazhduar qëndrimin në shtetet respektive, duke u bazuar në legjislacionin në fuqi. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë periudhës janar –nëntor janë ripranuar 1402 persona, nga të cilët 1055 me forcë.

Vetëm gjatë periudhës janar-nëntor të këtij viti, 1402 persona janë ripranuar në Kosovë, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Prej tyre, 1055 janë riatdhesuar me forcë e 347 të tjerë – vullnetarisht.

Nga ky dikaster qeveritar, kanë bërë të ditur për FaktePlus se numri më i madh i të riatdhesuarve janë nga Franca, Gjermania etj.

“Më së shumti janë riatdhesuar nga shteti i Gjermanisë, Francës, Austrisë, Belgjiikës etj”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Ndërkohë në vitin e kaluar, të dhënat zyrtare tregojnë se u riatdhesuan 2395 persona, 1668 prej tyre me forcë dhe 727 në mënyrë vullnetare.

Po ashtu në këtë vit ishin marrë 5464 vendime pozitive e 114 negative për lirim nga shtetësia. Sa i përket azilkërkuesve, ishin evidentuar 595 ndërsa kërkesa për lejeqëndrim ishin bërë 6040.

Shkak kryesor i riatdhesimit, sipas MBP-së mbetet mospërmbushja e kritereve për qëndrim në shtetin kthyes.

“Shkaqet kryesor të Ripranimit të Shtetasve të Republikës së Kosovës apo edhe të personave të cilët i plotësojnë kushtet për Ripranim duke u bazuar në Marrëveshjet Ndërkombëtare për Ripranim janë, sepse këta qytetarë nuk i plotësojnë më tutje kushtet për qendrim në shtetet kthyese duke u bazuar në legjislacionin e tyre në fuqi”, deklarojnë nga MPB-ja.

Arsyet kryesore të marrjes së lejeqëndrimit sipas të dhënave zyrtare janë bashkimi familjar, punësimi e edukimi.

Por çka bën shteti për këta persona?

Nga ministria e Punëve të Brendshme kanë deklaruar për FaktePlus se të riatdhesuarit mund të përfitojnë nga skemat e riintegrimit nëse parashtrojnë kërkesë dhe i plotësojnë kushtet e kërkuara.

Ata përfitojnë ndihmë në momentin e arritjes, ndihmë dhe mbështetje emergjente deri në 12 muaj pas kthimit dhe ndihmë për riintegrim të qëndrueshëm.

“Ndihma në momentin e arritjes përfshin pritjen, regjistrimin në sistem dhe informimin e personave të riatdhesuar menjëherë pas arritjes në Aeroport apo pika tjera të kalimit kufitar; Asistencën mjekësore në momentin e arritjes, në rast nevoje; Sigurimin e transportit deri në komunën e origjinës, në raste me nevojë dhe akomodimin në Qendrën e Akomodimit të Personave të Riatdhesuar”, deklarojnë nga MPB-ja.

E ndihma dhe mbështetja emergjente deri në 12 muaj pas kthimit përfshin akomodimin me qira; Pakon ushqimore dhe higjienike; Kompenzimin e shpenzimeve të barërave që nuk gjenden në Listën Esenciale të Barërave dhe Pakon e ndihmës për dimër, kurse ndihma dhe Mbështetja për Riintegrim të Qëndrueshëm përfshin sigurimin e banimit përmes rindërtimit, renovimit dhe pakon e orendive shtëpiake.

Po ashtu, të kthyerve përmes Shërbimit Publik të Punësimit u mundësohet edhe riintegrimi në tregun e punës përmes programeve të veçanta, fëmijët përfshihen në sistemin edukativo-arsimor, organizohen kurse të gjuhëve të huaja, etj.

Ndryshe, Kosova i ka nënshkruar 22 marrëveshje ndërkombëtare për ripranim me 24 shtete të ndryshme.

Sipas ligjit, Procesi i ri-pranimit/riatdhesimit fillon në bazë të një urdhri zyrtar apo një vendimi gjyqësor nga një shtet pritës, që ia mohon personit apo familjes statusin ligjor në atë shtet.

Pas këtij vendimi, shteti kërkues dërgon kërkesë për ri-pranim autoriteteve kompetente për verifikim nëse personi në fjalë është shtetas i Republikës së Kosovës apo i huaj i cili plotëson kushtet për ri-pranim duke u bazuar në marrëveshjet për ri-pranim apo Ligjit për Ri-pranim.

Pas verifikimit të kërkesës dhe konfirmimit për ri-pranim nga autoriteti kompetent, personi mund të kthehet në vend. Në momentin e arritjes së tij/saj në aeroport, institucionet e Republikës së Kosovës varësisht nga fusha e përgjegjësisë te tyre, janë të obliguara ta pranojnë personin, të ofrojnë ndihmën e nevojshme shëndetësore, sociale apo ndonjë ndihmë tjetër ashtu siç është kërkuar nga shteti kërkues në momentin e dërgimit te kërkesës për Ri-pranim. Të ripranuarit të cilët kthehen në pikat e kalimit kufitar i takojnë kategorive të të kthyerve me forcë dhe vullnetar.

Vetëm gjatë viteve 2013-2017 në Kosovë u ripranuan 46 mijë e 53 persona. Një pjesë e madhe e të ripranuarve ishin persona që kishin provuar për ta gjetur “Tokën e bekuar” në valën e ikjes masive në vitet 2014 dhe 2015./FaktePlus