Më shumë biznese po mbyllen e më pak mallra po eksportohen, kryeministri Kurti po mashtron me statistika

Për 1.1% është rritur norma e shuarjes së bizneseve në Kosovë në periudhën korrik-shtator të vitit 2023, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Sipas Buletinit Ekonomik Tre Mujor janar-shtator 2023, të përgatitur nga Ministria e Financave e Kosovës, gjatë kësaj periudhe janë mbyllur 376 biznese, apo 1.1% më shumë biznese të shuara se në periudhën e njëjtë të vitit 2022.

Gjatë kësaj periudhe të njëjtë ka pasur edhe ulje të eksporteve për 11%, përderisa importet janë rritur për 3.3%.

Por, rënies drastike të eksporteve, siç edhe potencohet në dokumentet e Ministrisë së Financave, kryeministri Kurti nuk po i referohet statistikave të fundit, por po i potencon statistikat trevjeçare.

Të martën e kaluar në Forumin Ekonomik në Zvicër, ku po bëhet promovimi i eksportit të bizneseve kosovare dhe atyre të Zvicrës, Kurti deklaroi se për tri vjet, eksportet e Kosovës arritën në 2.5 miliardë euro.

Madje, ai deklaroi se treguesit ekonomikë nuk janë vetëm shifra, por tregues i vizionit ekonomik të vendit.

Që ka pasur më shumë shuarje të bizneseve në këtë periudhë e thotë edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini.

“Shuarja e bizneseve në periudha të caktuara nuk është parametri kryesor që tregon se brenda një viti ka pas më shumë ose më pak biznese të hapura apo të mbyllura. Sipas statistikave që posedojmë mbyllja e bizneseve në periudhën korrik shtator ka qenë pak më e madh, pro ka qenë një numër shumë i vogël i kompanive që kanë shuar aktivitetin e vet në krahasim më vitin 2022”, është shprehur ai për Front Online.

Shahini, deklaron se arsyet e shuarjes së bizneseve janë humbja e fuqisë në treg dhe mosqasja në institucione financiare.

“Por zakonisht, bizneset e shuara shpesh nuk deklarojnë arsyet e shuarjes, por ne si AKB i hulumtojmë këto biznese dhe përgjigja e tyre është se e kanë humb fuqinë konkurruese në treg dhe mosqasja nëpër institucione financiare”, ka thënë Shahini.

Derisa kryeministri i vendit, Albin Kurti ka deklaruar se për tri vite eksportet arritën në 2.5 miliardë euro, kryetari i AKB-së, Agim Shahini thotë se në vitin 2023 Kosova ka pasur problem sa i përket eksportit.

Madje, thotë se në këtë kanë ndikuar disa faktorë.

“Problemet që ka pas më pas eksport në vitin 2023 janë të natyrave të ndryshme dhe ne i kemi identifikuar disa, ku njëra ndër to ka qenë që bizneset nuk kanë pas qasje në tregjet evropiane për shkak të mungesës së vizave, po ashtu qasjet financiare të cilat kanë qenë vitin e kaluar tepër të shtrenjta, inflacioni dhe rritjet e çmimeve kanë qenë një nga problemet, po ashtu edhe konkurrenca e ashpër që prodhuesit dhe bizneset nuk kanë mundur t’i përballojnë korporatave, politikat fiskale dhe ato ekonomike kanë qenë në shumë shtete më të favorshme dhe më subvencionuese ndaj eksportuesve”, ka pohuar i pari i AKB-së.

Ndërsa, thotë se nuk mund të jep vlerësime për këtë vit sa i përket eksportit.

“Sipas paralajmërimeve dhe hulumtimeve rritja ekonomike këtë vit mund të jetë rreth 4%, por këto janë vetëm parashikime dhe është herët të jepen vlerësime të sakta se si do të rrjedhë ekonomia dhe politika të cilat janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën”, ka shtuar Shahini

Kadrijaj: Qeverisë s’i kanë interesuar bizneset, por plotësimi i apetiteve të militantëve të vet

Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj deklaron për Front Online se shuarja e bizneseve duhet të jetë shqetësuese për institucionet e vendit.

Sipas tij, shuarja dhe hapja e bizneseve në Kosovë është fenomen që ndodhë në vazhdimësi.

“Shuarja dhe hapja e bizneseve është diçka që në vazhdimësi ndodhë në Kosovë, por kjo shuarja duhet të jetë shqetësim për institucionet tona, këtu Ministria e Tregtisë ose ka mosdisponim të njerëzve që mos të hapin biznese dhe të punojnë në Kosovë, dhe tash kur po flasim ka një disponim për t’u larguar nga vendi dhe kjo mendoj se është njëri ndër faktorët, por njëherit besoj që ndoshta edhe Ministria nuk ka mundësi të mira që bizneset ta shohin veten që të hapin biznese”, ka deklaruar ai për Front Online.

Ai, thotë se Qeveria nuk ka krijuar politika të mirëfillta për prodhuesit vendor, derisa shton se kësaj të fundit i ka intërësuar vetëm plotësimi i apetiteve të militantëve të vet.

“E gjithë barra duhet të mbetet tek Qeveria e Kosovës, tek institucionet tona sepse për çdo sukses Qeveria i merr lëvdatat në veten e parë, pra edhe për çdo dështim duhet t’i ngarkohet Qeverisë sepse këtu po shihet që nuk ka pas politika të mirëfillta. Kësaj qeverie nuk i ka interesuar fort ekonomia e tregut, nuk i kanë interesuar bizneset, më shumë i kanë interesuar që t’i plotësojë apetitet e votuesve dhe militantëve të vet, por jo që jetë pro bizneseve”, është shprehur Kadrijaj.

Kurse, sa i përket eksportit, Kadrijaj deklaron se Qeveria ka rënë ndesh me deklarimet e veta.

Sipas tij, në momentin kur në një shtet ka më shumë import prodhuesi vendor ngulfatet.

“Këtu bien ndesh deklarimet e Qeverisë që i kanë përkrah prodhuesit vendor, pra këtu po shihet që nuk ka pas efekt dhe po shihet që kemi pas rënie të eksportit. Në momentin që kemi import ngulfatet prodhimi vendor, por ndoshta për Qeverinë nuk është shumë problem sepse asaj i intereson që ta mbush arkën e shtetit, por në momentin që ke import më të lartë është shumë e qartë që dëmtohet prodhimi vendor”, ka shtuar ai.

Për çështjen e eksportit të martën ka shkruar edhe zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi,i cili ka thënë se eksportet për vitin 2023 kanë rënë për 101 milionë euro.

Derisa sipas tij, deficiti tregtar i vitit 2023 ka shkuar në 4.84 miliardë euro.

Rukiqi thotë se kjo rënie drastike në eksport dhe thellimi i deficitit tregtar tregojnë dështimin e hapur të Qeverisë Kurti sa i përket aspektit ekonomik.

Ai thotë se ka shenja të qarat nga tregu, se rënia e eksporteve në vitin 2023 është edhe si rezultat i sanksioneve që erdhën pas përplasjes së Kurtit me aleatët.

Në vitin 2023, Kosova eksportoi më së shumti dyshekë, ndërsa importoi më shumë naftë, sipas një tabele të publikuar të mërkurën nga Instituti GAP, bazuar në të dhënat e Doganës së Kosovës.

GAP publikoi 10 kategoritë e produkteve më të eksportuara dhe importuara nga Kosova më 2023.

Në listën e eksporteve, dyshekët prin me 12.1 për qind të eksportit. Plastika zë vendin e dytë me 6.6 për qind, ndërsa tuba prej çeliku dhe hekuri renditen në vendin e tretë.

Pijet freskuese (4.2%), mobilie (3.9%), mbetje dhe skrap hekuri (3.7%), struktura të hekurit apo çelikut (2.8%), energji elektrike (2.4%), pllaka dhe shirita prej plastike (2.4%) dhe kostume (2%) – janë në listën e produkteve më të eksportuara nga Kosova.

Në listën e importeve, nafta është e para me 10.2 për qind, ndjekur nga vetura dhe mjete të tjera motorike 7.9 për qind dhe tuba prej hekuri apo çeliku 2.5 për qind.