Mediat në Suedi për gruan që u vra në Prishtinë: ‘Ishte shtetase suedeze, reagoi edhe deputeti’

Gazeta suedeze “Expressen” ka raportuar lidhur me vrasjen që tronditi mbrëmë vendin, ku e vrarë mbeti gruaja e Naim Murselit, këshilltarit të ish-Presidentit Behgjet Pacollit.

Sipas këtij mediumi, viktima ishte shtetase e Suedisë.

Lidhur me ngjarjen tragjike, ka reaguar edhe deputeti suedez Magnus Jacobsson, i cili e ka quajtur këtë ngjarje të tmerrshme. Siç raporton ky medium, Jacobsson e njihte personalisht viktimën dhe bashkëshortin e saj.

“Ajo ishte një person absolutisht fantastik. Njeri i ngrohtë, i mirë. Ju nuk e kuptoni vërtet se mund të ndodhë”, ka thënë ai për mediumin.

Një postim e ka bërë edhe në Facebook, ku ka rishpërndarë postimin e Pacollit.

“I tronditur nga lajmi se Liridona ka vdekur. Duke menduar për të gjithë familjen”, ka thënë ai teksa ka publikuar foton e viktimës me bashkëshortin e saj, Naim Murselin.