Zëdhënësi i BE-së për deklaratën e Kurtit: Marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka ripërsërit sot se të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, duhet të implementohen, përfshirë këtu edhe marrëveshjen për krijimin e komunave me shumicë serbe.

I pyetur lidhur me deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti se nuk do të lejojë formimin e Asociacionit, Stano tha se Bashkimi Evropian nuk i komenton deklaratat e të tjerëve dhe se është e qartë se kur bëhet fjalë për zbatimin e asaj se çfarë është marrë vesh në dialog.

“Duhet të bëjmë gjithçka që të zbatohet ajo çfarë është nënshkruar”, ka thënë Stano.

Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për median britanike BBC, ka deklaruar se s’do të lejojë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe qoftë si kryeministër apo në opozitë.