‘Mefi’ mundohet të tregohet interesant me Abdixhikun, thotë se as deputetët e VV’së nuk e dinë ‘planin’ e Kurtit për veriun

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mefail Bajqinovci, ka reaguar pas deklaratës së Lumir Abdixhiku se gjatë takimit me Kurtin “nuk pa ndonjë plan konkret për zgjidhjen në veri të vendit”, duke u munduar të tregohet interesant.

Bajqinovci në një shkrim në Facebook tha se Kurti planin për veriun nuk ua ka treguar as deputetëve të partisë së tij.

“Kryeministri Kurti nuk po na e tregon planin për veriun as neve deputetëve të Grupit Parlamentar te LV-së, e po ia tregon deputetit të LDK. Kur të më të tregon mua Lumir, mos ta nin se pastaj ta tregoj unë ty planin për veriun”, ka shkruar Bajqinovci në Facebook.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri Kurti i ka pritur në takim krerët e partive opozitare. Pak pasi nisi takimi, nga objekti i qeverisë u largua kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, sepse “Kurti i mbajti ligjërata”. Të pakënaqur dolën edhe Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku.

Pas takimit, Abidxhiku tha se nuk kanë parë ndonjë plan konkret për zgjidhjen në veri.

“Nuk kuptuam diçka të re dhe s’pamë ndonjë plan konkret për zgjidhjen në veri të vendit. S’pamë ndonjë lëvizje apo gatishmëri”.

Ky takim u mbajt për shkak të zhvillimeve të fundit me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.