Mehaj: Operacioni i kërkim-shpëtimit të FSK-së në Turqi po vazhdon, ekipit i janë shtuar edhe 6 pjesëtarë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka bërë të ditur se po vazhdon operacioni i kërkim-shpëtimit nga pjesëtarët e FSK-së në provincën Hatay të Turqisë.

Mehaj tha se kontigjentit të FSK-së i janë bashkuar edhe gjashtë pjesëtarë të Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit të ardhur nga Kosova, ku bashkë me organizatën AKUT po vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit e mundshëm nën rrënojat e një ndërtese shumëkatëshe.

“Specialistët e kërkim-shpëtimit urban, ekipet e mjekësisë emergjente dhe ata K9, të FSK-së me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë janë duke zhvilluar operacionet e kërkim-shpëtimit në koordinim me autoritetet turke dhe ekipet e shpëtimit nga vende të ndryshme të botës”, shkroi Mehaj.

Tutje, ai tha se orët në vijim janë vendimtare për personat që mund të jenën nën rrënojat e shtëpive dhe ndërtesave të cilat u shkatërruan nga tërmeti 7.8 shkallë të Rihterit që goditi Turqinë dhe Sirinë të hënën.

Kujtojmë se deri më tani, si pasojë e tërmetit, në Turqi e Siri kanë vdekur mbi 21 mijë njerëz.