Mehaj thirrje të rinjve që t’i bashkohen FSK-së: Tradita për t’i shërbyer vendit s’do të vdesë kurrë

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, u ka bërë thirrje të rinjve që t’i bashkohen Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke njoftuar që ka mbetur edhe një javë nga mbyllja e konkursit për rekrutimin e 612 ushtarëve aktiv dhe 388 ushtarë të komponetës rezervë.

“Të dashur qytetarë, të rinj e të reja të këtij vendi, kanë mbetur edhe një javë, deri më datën 15 janar, kur do të mbyllim zyrtarisht konkursin e rekrutimit të 612 ushtarëve aktiv dhe 388 ushtarëce të komponentës rezervë. Pra, një javë deri te mbyllja e procesit të tretë të rekrutimit brenda dy viteve, për t’i shtuar në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës edhe 1 mijë të rinj që do t’i shërbejnë atdheut”, tha Mehaj.

Ai është shprehur se Ushtria e Kosovës ka një vizion të qartë drejt anëtarësimit në NATO.

“Kanë mbetur vetëm edhe 168 orë kur do të filloj procesi i përzgjedhjes së atyre që do të bartin uniformen e nderit, simbolin e shtetit dhe besimin e popullit. Andaj të rinj e të reja të këtij vendi, pa dallim etnie, ju ftoj të aplikoni për t’iu bashkangjitur Ushtrisë së Republikës së Kosovës që ka një vizion të qartë drejt anëtarësimit në NATO”.

“Bashkarisht do të angazhohemi në mbrotjen e sigurinë e shtetit, ashtu siç para nesh, komandanti legjendar, Adem Jashari, pjestarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorë e invalidë, veteranë e veprimatarë si Adem Demaçi, i dhanë formë lirisë së vendit, shpresës-guxim, guxim për një shtet të pavarur dhe sovran”, tha ai.

Tutje, Mehaj u shpreh se tradita jonë për t’i shërbyer vendit nuk do të vdesë kurrë.

“Përderisa vendi ynë lind të rinj e ardhetarë të cilët bëjnë nderime para flamurit, tradita jonë për t’i shërbyer vendit nuk do të vdesë kurrë. Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë gjithmonë shtëpia e trimave. Bëhu ushtar i Kosovës”, tha tutje ministri Mehaj.