Dënohet me burg i akuzuari për vrasjen e para 30 viteve në Deçan

Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me 11 vjet burg të akuzuarin për vrasjen që kishte ndodhur para 30 vjetësh në Deçan, Hasan Zenelaj.

Prokuroria e Pejës e akuzon të pandehurin Zenelaj, se për qëllim të hakmarrjes në vitin 1989, në Deçan, në bashkëkryerje me vëllain e tij, e kishin privuar nga jeta Zekë Ukajn.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sylë Lokaj, i akuzuari Hasan Zenelaj, është dënuar me 11 vjet burg, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 8 maj 2019, e tutje.

Ndaj tij është vazhduar masa e paraburgimit, ndërsa pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike, është udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 29 maj 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Hasan Zenelaj, i njohur më parë me emrin Besim Zenelaj, akuzohet se më 20 tetor 1989, rreth orës 9:30, në Deçan, në rrugën ish “Eduar Kardeli”, në afërsi të kanalit për ujitje, me marrëveshje me tani të dënuarin Selim Zenelaj, nga hakmarrja e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Zekë Ukaj, i moshës 25 vjeçare nga fshati Strellc i Epërm.

Sipas aktakuzës, rasti kishte pikënisjen në një rrahje që kishte ndodhur më 12 qershor 1989, në mes të pandehurit dhe vëllait të tani të ndjerit.

Bazuar në akuzë, tani i ndjeri Zekë Ukaj, ishte përcjellë për një kohë, e pastaj i afrohen nga prapa, fillimisht i dënuari Selim Zenelaj, e kap për qafe me dorë të majtë, kurse me dorën e djathtë fillon ta godas me thikë në pjesën e përparme të regjionit të gjoksit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kur i ndjeri në mbrojtje e sipër së bashku me të dënuarin Selim Zenelaj, bien në kanalin e ujit, i pandehuri Hasan Zenelaj, zbret në kanal dhe derisa i dënuari Selim Zenelaj, po e mbante tani të ndjerin për duarsh, e godet disa herë në shpinë e pjesë të tjera të trupit, gjithsej 16 goditje, shumicën prej tyre në organe vitale ku për pasojë edhe ndërron jetë në vendin e ngjarjes.

Në shkresat e lëndës, thuhet se i akuzuari Hasan Zenaj, i njohur me emrin Besim Zenelaj është arratisur menjëherë pas ngjarjes kritike dhe nuk i është ditur vendndodhja, me ç’rast ish-Gjykata e Qarkut në Pejë, më 28 tetor 1989, ka lëshuar letër-rreshtim.

Pasi që i akuzuari ishte i pakapshëm për organet e ndjekjes, thuhet se Gjykata e Pejës ka lëshuar letër-rreshtim ndërkombëtar, më 5 dhjetor 2015, ndërsa i pandehuri është arrestuar në shtetin e Zvicrës, më 27 janar 2019, ku edhe është ekstraduar në Kosovë më 8 maj 2019.

Kurse, i pandehuri tjetër Selim Zenelaj, i cili akuzohet se me Hasan Zenelaj ka kryer vrasjen e rëndë, ishte vazhduar procedura ndaj tij, me ç’ rast më 20 shtator 1991, ishte dënuar me 11 vjet burgim, me aktgjykim të plotfuqishëm.