Memli Krasniqi thotë se PDK-ja po shqyrton peticion qytetar kundër ngritjes së çmimit të energjisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Ky vendim për shtrenjtimin e çmimit të energjisë, sipas liderit të opozitës, u mor në koordinim të plotë dhe me bekimin e kryeministrit Albin Kurti.

Krasniqi ka shkruar në faqen e tij në facebook se kjo rritje enorme do të dëmtojë rëndë familjet kosovare.

“Në koordinim direkt dhe me bekimin e plotë të qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti, sot ZRRE-ja zyrtarizoi vendimin e paralajmëruar për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e vulosur rëndimin e mëtejmë të jetës dhe mirëqenies së qytetarëve të Kosovës. Që nga fillimi i mandatit të saj, Qeveria Kurti ka dështuar të ndërmarrë çfarëdo hapi për të zhvilluar ekonominë e vendit, të rënduar shumë gjatë pandemisë, duke qenë e paaftë të adresojë kërkesat dhe nevojat e bizneseve, shumë prej të cilave i solli në prag të falimentimit. Për më shumë, qeveria ka dështuar të ndërmarrë masa, të parandalojë përkeqësimin dhe të lehtësojë barrën sociale për familjet kosovare, përballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve në çdo produkt esencial”, tha Krasniqi.

Kreu i PDK-së tha se nga mungesa e vizionit të kësaj qeverie për të realizuar premtimet e saj zgjedhore, vetëm në dy muajt e fundit, mbi 100 mijë të rinj e të reja kanë kërkuar shpëtim larg atdheut të tyre, duke trokitur në dyert e ambasadave të huaja.

“Kjo është pasqyra e vërtetë e Qeverisë Kurti, e cila sot ua shtoi edhe një barrë të padrejtë të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ne e kemi paralajmëruar me kohë krizën energjetike dhe e kemi ftuar qeverinë që të ndërmarrë masat e duhura, por qeveria kishte tjetër agjendë. Kemi thirrur debat në Kuvendin e Kosovës për t’i sqaruar këto pozicione të dyshimta të saj, por aty u pa qartë se s’kishte kurrfarë dyshimi, pasi që deputetët e Vetëvendosjes, kundër vullnetit të qytetarëve, njëzëri u deklaruan në favor të shtrenjtimit të energjisë elektrike. Qeveria kishte marrë drejtim qysh herët, cakun e të cilit e pamë sot me vendimin skandaloz të ZRRE-së, e peshën e të cilit, në fund të këtij muaji do ta paguajnë familjet kosovare me pagat e tyre, të cilat pas rritjes enorme të çmimeve, sot s’mjaftojnë as për të mbuluar nevojat dhe shërbimet më elementare”, tha Krasniqi.

Ai ka paralajmëruar se Partia Demokratike e Kosovës, siç e ka kundërshtuar gjatë gjithë muajve të kaluar, do ta kundërshtojë me çdo mjet ligjor, në çdo instancë gjyqësore, njëjtë si në Kuvendin e Kosovës, dhe nuk do të ndalet së kërkuari shkarkimin e anëtarëve të Bordit të ZRRE-së që kanë vulosur këtë dënim ndaj qytetarëve të Kosovës, si dhe anulimin e vendimit skandaloz të ZRRE-së, i cili si i tillë, i jep fund edhe asaj pak sigurie e mirëqenie që kanë mundur ta sigurojnë qytetarët me djersën e tyre.

“Në të njëjtën kohë, PDK-ja po diskuton mundësinë e organizimit të një peticioni qytetar, në mënyrë që tandemi Qeveri-ZRRE ta kuptojë se rritja e çmimeve të energjisë nuk është një betejë politike opozitare përballë një qeverie të paaftë e të papërgjegjshme, por është një kërcënim ndaj qytetarëve të Kosovës që janë në betejë për mbijetesë, e të cilët nuk munden dhe nuk duhet ta bartin mbi supe koston e paaftësisë së qeverisë Kurti”, tha Krasniqi.