Mendimi ndryshe, servili dhe “shefi”

Shkruan: Gëzim Saraçi

Është e natyrshme që grupimet shoqërore, politike apo me një fjalë të gjitha llojet grupimeve të njerëzve, qofshin ato edhe private, bëhen për të arritur një qëllim. Zakonisht, grupimet duhet të kenë synim krijimin e një të mire, jo gjithherë vetëm për pjesëtarët e atij grupimi, por edhe për një rreth më të gjerë në shoqëri, apo edhe për shoqërinë në tërësi.

Në çdo shoqëri ekzistojnë grupime të ndryshme, të cilat jo rrallë kanë kontradikta mes tyre, mirëpo edhe përbrenda grupimeve është e natyrshme të ketë mendime të ndryshme. Kjo e fundit në shoqërinë tonë është vështirë e pranueshme, sepse te ne çdo mendim ndryshe vlerësohet si qëllimkeq. E më e keqja është kur mendimi yt është i kundërt me atë të “shefit” apo “liderit”. Aty fillon belaja. Nëse je pjesë e grupimit ku vepron dhe ke mendim të ndryshëm nga “shefi”, automatikisht shndërrohesh në një përçarës, sado që mund të kesh të drejtë. Shpejt fillojnë etiketimet nga servilët e përkëdhelur të shefit; ky është përçarës, ka ardhur me mision, e kanë dërguar ata apo këta, e lloj-lloj etiketimi.

E kur ndodh që je pjesë e një grupi tjetër apo nuk je fare pjesë e ndonjë grupi ndërsa shprehë mendim ndryshe për një veprim apo një ngjarje, e cila është bërë nga një grupim i caktuar i njerëzve, njollosjet dhe etiketimet ndaj teje konsiderohen të natyrshme, bile a ke apo s’ke të drejtë; a ke apo s’ke fakte aspak nuk ka rëndësi. Për grupimin ndaj të cilit ke shprehë mendimin ndryshe, ti nuk je një kundërshtar i asaj ngjarjeje apo atij veprimi, thjesht je një armik. E këtu, menjëherë, dalin në sipërfaqe servilët e përkëdhelur të “shefit” nga grupimi për të cilin ti ke shprehë mendimin ndryshe. Zakonisht, “shefat” të injorojnë, sepse para vetes kanë “obligime shtetërore”. Beteja me servilët e përkëdhelur nuk është aspak e lehtë edhe kur ke të drejtë. Por, nëse eventualisht gjatë shprehjes së mendimit ndryshe ke bërë ndonjë lëshim, në atë betejë vetëm duhet t’i betohesh vetes për “liri a vdekje”. Më e keqja është atëherë kur ai që shprehë mendimin ka qasje njerëzore përballë atyre servilëve të përkëdhelur, sepse me ata është vështirë të flasësh njerëzisht. Secili servil është i zhveshur nga ndjenja njerëzore, sepse njerëzit lindin të barabartë dhe duhet të jetojnë të barabartë në të drejta. Servilëve u mungon dinjiteti njerëzor, ata nuk kanë integritet, ata nuk kanë personalitet. Krejt çka kanë ata është “shefi” dhe aq sa ua gjuan ai në grazhd. Por, zakonisht, “shefat” e kanë grazhdin e madh për vete, e servilëve u mbetet pak, megjithatë ata kënaqen, sepse shpresojnë, dhe vetëm shpresojnë…

Nëse servilët në mendimin tënd gjejnë diçka, për të cilën mund të vërtetojnë të kundërtën e mendimit tënd, atëherë ata mundohen që për të gjitha “gjynahet” tjera ta pastrojnë “shefin”, duke u arsyetuar se kështu po shpifet ndaj tij, ai po punon për popull, ai është kështu, ai është ashtu… Për të gjitha këto, servilët kujdesen ta pyesin “shefin”: A ja kum ba mirë? A ja kum ftofë? etj. E këtë e bëjnë nga frika se mos po u shkon mundimi kot, nëse nuk e kupton “shefi” se çka kanë bërë për të. Zaten, ata s’dinë tjetër.

Duhet ta kuptojmë se është normale që secili grupim të ketë një shef, por nuk është normale që anëtarët e grupimit të jenë servilë. Te ne “shefat” nuk janë diktatorë që me dhunë fusin njerëzit nën këmbë, e vërteta është se servilët kënaqen nën “thundrën” e “shefave”, ndërsa masat e njerëzve nënshtrohen me heshtjen e tyre para të keqes. E duke u gjendur në këtë situatë “shefat” e shohin veten në hijen e mëngjesit, ku vetja u duket një gjigant.

Në vende normale shefat apo liderët mbajnë afër njerëz të përgatitur, të cilët u ndihmojnë në realizimin e synimeve që kanë para vetes, në të mirën e përgjithshme, ndërsa te ne “shefat” mbajnë afër vetes servilë, të cilët në të shumtën e rasteve mund të kenë ndonjë diplomë universitare si mbulesë, për t’u dukur si intelektualë, edhe për veshjen përkujdesen mirë, por që nuk e njohin mirë ABC-në. “Shefat” në shoqërinë tonë janë edhe vetë tillë, përndryshe s’do të pranonin të rrethohen nga gjysmanalfabetët dhe injorantët.