Mësimdhënësit me Covid-19 s’ka kush t’i zëvendësojë në Kosovë

Mësimdhënësit në Kosovë po kërkojnë nga institucionet shëndetësore që të futën në listën me prioritet për vaksinimin kundër COVID-19, për shkak siç thonë, rrezikshmërisë për t’u infektuar, por edhe për mbarëvajtjen e procesit mësimor në nivel të duhur.

Të hënën më 12 prill, në të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar dhe universitar, përjashtuar ciklin e ulët, nga klasa e parë deri të pestën, pas një jave pushimi, kanë filluar procesi i mësimor në formën online. Vendimi për zhvillimin e mësimit online, nga data 12 prill deri më 18 prill, e ka marrë Qeveria e Kosovës, si një nga masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Nxënësit nga klasat një deri në pesë, aktivitetin mësimor po e zhvillojnë me prani fizike në shkolla. Ndërkaq, institucionet parashkollore do të vazhdojnë aktivitetin normalisht, duke i respektuar masat dhe rekomandimet kundër COVID-19.

Ndërsa, për javën e ardhshme vendimi për aktivitetin mësimor do merret varësisht prej rekomandimeve nga organet kompetente, por edhe në dakordim me të gjitha drejtoritë komunale, duke pasur parasysh rrethanat specifike të së cilës komunë, ka thënë në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci.

Problemi i zëvendësimit të mësimdhënësve të infektuar

Kimete Dida, drejtoreshë në shkollën fillore “Ismail Qemajli” në Prishtinë, thotë se aktualisht në këtë shkollë, një mësimdhënës është i infektuar më koronavirus. Por, Dida tregon se tri javë më parë nëntë mësimdhënës kanë qenë të infektuar dhe kjo ka paraqitur problem në zëvendësimin e tyre.

“Për të pasur mundësi që procesi të zhvillohet në mënyrë normale, unë apeloj që të gjithë arsimtarët të vaksinohen, sikurse sektori i shëndetësisë edhe arsimi duhet të jetë prioritet. Ne e falënderojmë Fakultetin e Edukimit dhe Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që kanë sjell studentë të Masterit dhe kemi arritur të zëvendësojmë kolegët që kanë qenë të infektuar më koronavirus ose ata që nuk punojnë qe një vit, për shkak të ndonjë sëmundjeje kronike”, thekson Dida për Radion Evropa e Lirë.