Miftaraj kritikon Sveçlën: E dëmshme zbardhja e shumë provave në publik

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se është e dëmshme për procesin e hetimeve, zbardhja e shumë provave në publik nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ajo çka po lë shije jo të mirë është që po dalin shumë dëshmi, shumë prova në publik nga ana e ministrit Sveçla. Është e vërtetë që për publikun, për opinionin publik janë shumë interesante dhe si qytetar të këtij vendi, ndihesh krenar kur i sheh gjithë ato, por këto e dëmtojnë besoj procedurën penale edhe Kosovën ose Kosova nuk mund t’i shfrytëzojë mjaftueshëm këto nëse do të mund të shfrytëzoheshin në aspektin diplomatik. Kosova ka mundur të njëjtat t’i ndajë me shtetet mike: SHBA, BE, Gjermani, Francë, Itali e të tjera, të kuptojnë se cili është roli i shtetit serb, strukturave të sigurisë dhe Radoiçiqit në gjithë këtë skenar që ka ndodhur dhe jo ne t’i publikojmë në media dhe pastaj Vuçiqi dhe shërbimet sekrete serbe dhe shteti serb ta ketë mbrojtjen përmes asaj që i servojmë ne”, tha Miftaraj.