Mik i Shpendit, mik i LDK-së, pjesëmarrës në rrahje – ngjitja e shpejtë e Haki Abazit në majat e politikës

Deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi sot u prezantua si zëvendëskryeministër i mundshëm nga Vetëvendosje. Është paksa e çuditshme ngjitja e shpejtë e tij në politikë.

I lidhur për shumë vjet me kompani e organizata amerikane, siç ishte ajo Rockefeller Brothers, Abazi tani është bërë një majtist i madh dhe i besuari i pretendentit për kryeministër Albin Kurtit, shkruan Reporteri.net.

Kurti ka lënë anash një numër të madh të njerëzve me të cilët e ndërtoi Lëvizjen Vetëvendosje për t’ia besuar Abazit shoqërimin në Qeveri si zëvendëskryeministër.

Haki Abazi dikur ka qenë i angazhuar në shoqëri civile ku përmes fondeve nga Rockefeller Brothers kishte mbështetur organizata e media të ndryshme. Ishte fokusuar kryesisht edhe në energji të ripertritshme.

Fliste shpesh si njohës i rrjedhave politike.

Kur Shpend Ahmeti fitoi zgjedhjet për kryetar të Prishtinës, Abazi konsiderohej një mik i fortë i tij.

Pas një kohe, të dytë prishin raportet dhe Abazi filloi të flirtonte me Lidhjen Demokratike të Kosovës, shkruan Reporteri.net.

Aty ai me gjasë nuk u prit mirë dhe filloi të flasë kundër gardës së vjetër në LDK. U bë edhe armik publik i grupit të Shpend Ahmetit që doli nga Vetëvendosje. Si gjithmonë ishte një armik i përbetuar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Në zgjedhjet e fundit ai u rreshtua me Vetëvendosjen duke u zgjedhur edhe deputet dhe tash pretendent për numrin dy në qeveri nga Vetëvendosje.

Abazi ishte përfshirë shpesh në polemika me akterë të ndryshëm por ajo që i mbahet mend është një përleshje fizike me tash kreun e PSD-së, Dardan Molliqaj.

Kjo kishte ndodhur pas një debate të ashpër televiziv, në të cilat ishin ‘përmendur edhe gratë’.

Ish-analisti, Haki Abazi është bërë pjesë e Vetëvendosjes me 20 gusht të vitit 2019.

Ai ka diplomuar në drejtimin Inxhinieri, Shkenca Kompjuterike dhe Menaxhim Biznesi në Universitetin e Prishtinës, dhe George Mason në SHBA.