Vjen reagimi i Shalës pas akuzave të Blerim Sallahut për 100 mijë eurot

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka thënë sot se KMDLNJ i ka keqpërdorë 100 mijë euro të taksapaguesve, prandaj shprehet që ky institucion t’i kursejë nga këshillat për themelimin e Asociacionit.

“Do të ishte mirë që keqpërdoruesit që i kanë dëmtuar fondet publike, të na kursejnë nga këshillat e themelimit tê Asociacionit që na e deformon shtetin”, ka shkruar ai.

Pas kësaj akuze, ka reaguar drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala.

Shala ka thënë për Front Online se akuzat e Sallahut janë mashtrime dhe nuk janë të vërteta.

Sipas tij, zëvendësministri i Drejtësisë ka mision ta mbyllë KMDLNJ.

“Blerim Sallahu prej korrikut ka shpërnda dezinformata nuk e ka folë asnjë herë të vërtetën e ka keqpërdorë pozitën që e ka dhe ka folë të pavërteta dhe mashtrime. Ata e kanë raportin për të gjitha mjetet që janë marrë dhe kjo përbërje i ka detyrim KMDLNJ-së dhe në përpjekje për t’i ikur detyrimit, ai mund ta ketë çuar lëndën në gjykatë, por nuk kemi asnjë informatë që është lënda në gjykatë, Këto akuza të Blerim Sallahut nuk janë për herën e parë, ai mision e ka ta mbyllë KMDLNJ-në”, potencoi Shala.