Mimoza Kusari: Kemi ofertë nga PDK e nga koalicioni AAK-PSD, sot ose nesër vendosim

Sot gjatë ditës, Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari, është takuar me anëtarin e Kryesisë së PDK-së, Uran Ismaili. Mimoza Kusari ka treguar se arsyeja e takimit ishte një ofertë nga PDK-ja për Alternativën rreth pjesëmarrjes në zgjedhje.

Kusari ka thënë se kanë pasur ofertë edhe nga koalicioni AAK-PSD, por ende nuk kanë vendosur nëse do të shkojnë vetëm apo brenda një liste zgjedhore me njërën nga partitë që iu kanë bërë ofertë.

Ajo në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se takimi me ish-ministrin e Shëndetësisë Uran Ismailin ka qenë i ftuar nga ky i fundit për të diskutuar rreth bashkëpunimit mes dy partive për të hyrë në zgjedhje përmes një liste të përbashkët.

“Më ka thirr me u taku Urani, shumë e thjeshtë na ofruan që janë të gatshëm me bashkëpunu si pjesë e listës për pjesëmarrje në zgjedhje, ne si Alternativë natyrisht me një marrëveshje politike me PDK-në, e kam ndëgjuar, dhe është kry takimi”.

Mimoza Kusari tha po ashtu se edhe koalicioni AAK-PSD iu ka bërë ofertë për hyrje në zgjedhje

“Edhe koalicioni AAK-PSD na kanë bërë ofertë me pjesëmarrje në listë, dhe kanë qenë të hapur në ofrimin e hapësirës së kandidatëve të Alternativës për deputetë në kuadër të listave të tyre natyrisht me marrëveshje politike”, ka shtuar ajo.

Kryetarja e Alternativës tha se nuk kanë hyrë në detaje me PDK-në rreth numrit të deputetëve.

“Nuk kemi shkuar në ato detaje, për arsye se i kemi biseduar parimet e përgjithshme edhe nuk kam trajtuar ma tutje” ,ka thënë Kusari.Ajo është shprehur se ende nuk kanë vendosur për asnjërën nga dy ofertat.

“Nuk kemi vendosur as për njërën as për tjetrën”, tha Kusari.E pyetur nëse kanë pasur ofertë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Kryetarja e Alternativës tha se nuk ka asgjë konkrete me LDK-në.

Mimoza Kusari ka thënë se sot ose nesër do të vendosin se si do të shkojnë në zgjedhje si Alternativë.

“Ne mbesim me qëndrimin që e kemi pasur pas takimit të fundit të Alternativës që do të shkojmë vetëm dhe vendim tjetër nuk kemi marrë. Jemi duke punuar në programin qeverisës jemi në takime gjithë ditën dhe besoj që sot ose nesër e marrim një vendim përfundimtar.

Ende ka paqartësi në raport me mënyrën se si do të garojmë a garojmë vetëm apo në listë me dikë, por në momentin që e kemi atë vendim e bëjmë publike menjëherë.”, ka thënë Mimoza Kusari.