Ministri Aliu e konfirmon se MF-ja i ka mjetet për rrugën Podujevë-Prishtinë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu i shoqëruar nga zëvendësministri Hysen Durmishi, dhe kryetari i Podujevës, Shpetim Bulliqi, kanë mbajtur konferencë për medie për rrugën Prishtinë-Podujevë, raporton EO.

Ministri Aliu tha se ka thënë se kanë marrë deklaratën për disponueshmërinë e mjeteve nga ministri i Financave, Hekuran Murati lidhur me projektin e rrugës Podujevë-Prishtinë.

Sipas tij, në total në Ligjin e buxhetit për këtë rrugë janë 22.3 milionë euro. Ministri shtoi se problemet që i kanë pasur me këtë rrugë tashmë janë zgjidhur.

“Pra jo më vetëm pjesa e rrugës nga Lluzhani e deri në Podujevë, po edhe pjesa e rrugës nga Lluzhani deri në hyrje të Prishtinës, respektivisht në fshatin Bërnicë. Segmenti do të jetë pesë lote, 16 km nga Lluzhani deri në Bërnicë do të jete e ndarë në katër lote dhe shtoi se loti i pestë është përfundimi i rrugës nga Lluzhani deri në Podujevë, që përbën segmentin prej 9 kilometrash”, tha ai.

Zëvendësministri Hysen Durmishi, tha se në ndërtimin e kësaj rruga ka pasur probleme të mëdha për shkak të mos shpronësimit.

Ai tha se beson që deri në pranverë do të nënshkruhen kontrata dhe do të fillojnë punimet.

“Në realizimin e punimeve për kontratat ka pasur shumë zvarritje, arsyeja ka qenë probleme me projektin dhe problemi më i madh ka qenë çështja e shpronësimit. Janë nënshkruar kontrata pa procedura të shpronësimit për këtë kemi pasur shumë probleme”.

“Ne jemi të bindur se nuk do të fillojmë as një procedurë të prokurorimit pa përfunduar procedura e shpronësimit. Në pranverë do t’i kemi kontrata e nënshkruara dhe do të fillojnë punimet”, tha ai.

Durmishi tha se nuk është i kënaqur me cilësinë e punimeve të rrugëve në gjithë Kosovën, por që sipas tij, ata janë duke punuar që të përmirësojmë cilësinë.

Kryetari i Podujevës, Shpetim Bulliqi tha se ndjehet i lumtur që janë ndarë mjetet për t’i përfunduar punimet, raporton EO.

“Kënaqësi që sot pe ndajmë një lajm të mirë për qytetarët tanë. Sigurimi i mjeteve besoj shumë që kjo ka ndodhur falë ministrisë me hartimin që e kanë bërë të planit. Besoj shumë që këtu do të kenë kompani serioze që do të përzgjidhen”.