DnV: Hapësira më e madhe mediale i është ofruar Lëvizjes Vetëvendosje

Krahas monitorimit në tubimet publike, DnV ka monitoruar edhe mediat.

Jeta Krasniqi tha se hapësira më e madhe mediale i është ofruar Lëvizjes Vetëvendosje me gjithsej 79 minuta e pasuar nga LDK me gjithsej 77 minuta e AAK me 68 minuta.

“Përgjatë kësaj periudhe në mediumet në të cilat DnV i monitoron janë zhvilluar diku 226 kronika zgjedhore e 335 kandidatë nga subjekte të ndryshme politike (janë përfshirë në kronika) ku shohim që ka një shtrirje të ndryshme të partive politike.

Për t’i dhënë vetëm disa numra shohim se nga ta kanë qenë 83 kandidatë nga radhët e PDK-së, 89 nga radhët e LDK-së, 62 nga AAK, 55 nga Lëvizja Vetëvendosje, 35 nga Nisma dhe 11 nga partitë minoritare. Ajo çka vihet re, edhe në këtë rast, është prapë një përfaqësim jo i barabartë mes grave dhe burrave dhe në fakt mund të themi një përfaqësim shumë i ulët i grave në krahasim me burrat, ku shohim se gratë përbënin vetëm 22% të të gjithë kandidatëve që ishin prezentë.

Duket se një hapësirë më e madhe i është ofruar Lëvizjes Vetëvendosje me 79 minuta, LDK-së me 77, AAK-së me 68, NISMA me 60 minuta, PDK 55 minuta, Lista Serbe 8 minuta dhe partive të tjera në përgjithësi me 23 minuta nga 327 minuta në total. Gratë në këto kronika zgjedhore ishin prezent vetëm në 13 përqind të këtyre kronikave zgjedhore”, u shpreh Krasniqi.

Lidhur me monitorimin e mediave, DnV ka evidentuar raste kur reklamat e subjekteve politike nuk kanë qenë të sponsorizuara në 24 raste ku 21 prej tyre janë shfaqur në RTK1.