Ministri Ismaili me kabinet çoi 36 mijë euro në dreka e 20 mijë euro në telefonata

Uran Ismaili nuk ka udhëhequr në dy vjetët e fundit ndonjë “call center”. Është ministër në detyrë i Shëndetësisë dhe për telefonatat që ai dhe stafi politik i tij i kanë bërë brenda kësaj periudhe, shteti ka paguar faturën 20,054.85 euro.

Shpenzimet e këtilla janë bërë, ndonëse epoka e internetit ka reduktuar në masë nevojën për thirrje telefonike dhe njëkohësisht ka bërë që çmimet e telefonisë mobile të pësojnë rënie për tokë, shkruan sot Koha Ditore.

Më shumë se gjysma e shpenzimeve të kësaj kategorie janë bërë në vitin 2018.

Ministri Ismaili si i vetëm ka harxhuar në telefonata 1,950.79 euro. Mbi një mijë kanë shpenzuar edhe anëtarët e kabinetit të tij, si Kushtrim Shkodra, Ardian Ferizi, Albatrit Matoshi, Granit Avdullahu dhe Besianë Musmurati.

E dhëna ndodhet në pasqyrën e shpenzimeve që Ministria e Shëndetësisë ia ka vënë në dispozicion “Kohës Ditore”. Qasja në këto të dhëna është siguruar vetëm pas intervenimit të Avokatit të Popullit, institucion të cilit gazeta i ishte ankuar, pasi Ministria nuk i ishte përgjigjur kërkesës për qasje në shpenzimet e stafit politik, të bëra prej marrjes së mandatit e deri në kohën kur Kuvendi është shpërndarë.