Ministri Nitaj kërkon nga Bordi i Infrakos-it që ta pezullojë përzgjedhjen e kryeshefit të ri ekzekutiv

Ministri e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Muharrem Nitaj, ka njoftuar përmes një shkrese zyrtare se ka kërkuar nga Bordi i “Infrakos”-it që ta pezullojë përzgjedhjen e kryeshefit të ri ekzekutiv të kësaj ndërmarrjeje, me arsyetim se në proces të përzgjedhjes nuk janë zbatuar kriteret e konkursit, por ata këtë çështje e kanë bërë akt të kryer, me çka kanë bërë shkelje.

Deklarata e plotë e Ministrit Nitaj:

Si ministër i Ekonomisë dhe Ambientit nuk kam pranuar që të procedoja me rinominimin e bordeve të përkohshme, në kohën kur veç procesi i zgjedhjes së bordeve të rregullta është në fazën përfundimtare!

Edhe për ato ndërmarrje ku ka përfunduar procesi i intervistimit dhe pikëzimit, siç është rasti me Bordin e “Telekomit”, përzgjedhjen dhe emërimin e tij ia kemi lënë Qeverisë së ardhshme.

E kam vlerësuar se zgjedhja e bordeve të reja duhet të jetë në diskrecionin e Qeverisë së re. Por kjo nuk nënkupton që bordet e përkohshme që janë në ditët e fundit të tyre, mund të bëjnë përzgjedhjen e ngutshme të kryeshefave ekzekutivë të ndërmarrjeve publike, madje edhe duke shkelur rregullat e konkursit, e shpesh edhe në kundërshtim me ligjin, siç ka ndodhur me kryeshefin ekzekutiv të “Infrakos”-it.

Pavarësisht se unë si ministër e në cilësinë e aksionarit të “Infrakos”-it, me shkresë zyrtare qysh dje kam kërkuar nga Bordi i “Infrakos”-it që ta pezullojë përzgjedhjen e kryeshefit të ri ekzekutiv, me arsyetim se në proces të përzgjedhjes nuk janë zbatuar kriteret e konkursit, ata këtë çështje e kanë bërë akt të kryer, me çka kanë bërë shkelje.