Ministria e Arsimit ende pa plan për çantat e rënda të fëmijëve

Kërkesat e prindërve që në mënyrë urgjente të zgjidhet problemi i çantave të rënda nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Ministrja Hykmete Bajrami ka thënë se ende po punohet dhe se tash për tash nuk ka veprime konkrete. Nga ana tjetër, prindërit edhe një herë kanë kërkuar që çështja e peshës së çantave të zgjidhet sa më shpejt. Ka pasur raste kur janë obliguar që fëmijët t’i dërgojnë për trajtim mjekësor shkaku i çrregullimit të boshtit kurrizor.

Të shqetësuar me ketë çështje janë edhe vetë mësimdhënësit, të cilët presin hapa konkretë nga Ministria e Arsimit në zgjidhjen e këtij problemi.

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se nuk mund të japë afate kohore se kur mund të gjendet zgjidhje për çështjen e çantave të rënda. Ajo ka theksuar se bashkë me ekipin e saj shumë shpejt do të dalin me strategji për reforma nacionale në arsim, ku do t’i caktojnë masat afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata.

Bajrami ka paralajmëruar që brenda këtij viti do të përpilohet ligji i ri për tekstet shkollore e që, sipas saj, do të mund të ndikonte në zvogëlimin e problemit me çantat e rënda.

Instituti “Edguard’ përmes një raporti të publikuar kohë më parë kishte rekomanduar reduktim të detyrave të shtëpisë, pajisje të shkollave me dollapë e rishikim të teksteve shkollore, në mënyrë që të zvogëlohet problemi me çantat e rënda të nxënësve.