Ministria e Ekonomisë kërkon nga Posta ta anulojë vendimin për koeficientin e pagave

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka kërkuar nga Bordi i Përkohshëm i Postës së Kosovës që të anulohet vendimi për ndryshimin e koeficientit të pagave.

“Ndryshimi i koeficientëve të pagave në këtë kohë, kur Posta e Kosovës nuk qëndron në gjendje të mirë financiare, është i papranueshëm dhe nuk do të lejohet”, thuhet në njoftim.

Ndonëse sot ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Postës, Xhevdet Smakiqi, mohoi për Sinjalin se ka një rritje pagash. Sipas tij, bëhet fjalë vetëm për rikthimin të koeficientit të mëparshëm, i cili ishte ulur nga bordi paraprak.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, nëpërmes Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, i ka dërguar shkresë Bordin e Përkohshëm të Postës së Kosovës, duke i bërë thirrje që të anulojë vendimin për ndryshimin e koeficientëve të pagave.

Ky veprim nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit është ndërmarrë sapo ka ardhur procesverbali nga mbledhja e Bordit të Përkohshëm të Postës së Kosovës, të mbajtur më 03.12.2020.

Ndryshimi i koeficientëve të pagave në këtë kohë, kur Posta e Kosovës nuk qëndron në gjendje të mirë financiare, është i papranueshëm dhe nuk do të lejohet.

Për më tepër, Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike ka sugjeruar më parë këtë ndërmarrje që të zvogëlojë pagat për 30% për pozitat e larta udhëheqëse.