Ministrja Bajrami shpalos prioritetet: Arsimi tejet i politizuar, do ta kthejmë në binar

Ministrja e Arsimit dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, tha se e do të punojë vazhdimisht që mos të ketë ndërhyrje politike në sektorin e arsimit në mënyrë që Kosova të bëhet prapë pjesë e “EQAR” dhe “ENQA”.

Ministrja e re e Arsimit e pranon se institucionet e arsimit janë të politizuara dhe se do të bëjë përpjekje maksimale për depolitizimin e tyre.

“Ka prioritete të shumta, përfshirja në edukimin parashkollorë është shumë e vogël, një nga prioritetet është që të rriten kapacitetet në mënyrë që fëmijët gjithandej Kosovës të kenë qasje në shërbime të tilla.

Prioritet tjetër është stabilizimi në institucionet e pavarura te arsimit dhe depolitizimi i tyre komplet. Do të mundohemi të punojmë ngushtë me partnerët tanë që të ju sigurojmë atyre që nuk do të ketë ndërhyrje politike, në mënyrë që Kosova prapë të bëhet pjesë e EQAR dhe ENQA është një nga prioritetet e tona”.

Bajrami thotë se do të kontaktojnë me Ambasadën e Britanisë për të parë nëse ende kanë kontratë për ta ndihmuar në rekrutimin e stafit, edhe pse thotë se është shumë e vështirë pasi që ndërhyrjet politike në të kaluarën e kanë zbehur besimin e miqve ndërkombëtar.

“Ne do të bëjmë përpjekje, ju e dini që ka humbur besimi edhe ditëve të fundit nga qeveria në dorëheqje dhe nga ministri ka pasur ndërrime të tilla, ngarkime dhe shkarkime të personelit aty.

Ne do të kontaktojmë me Ambasadën e Britanisë për të parë nëse ata ende kanë kontratë për të na ndihmuar në rekrutimin e stafit, do të jetë e vështirë për ta kthyer besimin në këto institucione pikërisht për shkak të ndërhyrjeve politike.

Të gjithë i kemi parë letrat që ata i kanë dërguar në institucione në rastin e përjashtimit por unë besoj që do t’ia arrimë.

Puna e parë është që ta rishikojmë buxhetin, një buxhet i parapërgatitur nga qeveria që ishte në dorëheqje, sigurisht që tani buxhetin do ta rishikojmë buxhetin ta bëjmë konform prioriteteve tona”.

Bajrami thotë se do të bëhet edhe një rishikim i plotë i kurrikulës po ashtu edhe rishikimi i librave në përgjithësi.

“Viteve të fundit edhe pse është investuar në infrastrukturë fizike ajo ende nuk është e kompletuar mungojnë mjetet e konkretizuara kemi planifikuar gjithashtu edhe një rishikim komplet të kurrikulës dhe po shohim mundësitë bashkë me stafin e ministrisë nëse duhet të ndodhë.

Sepse kurrikula nuk është e implementuar në tërë ciklin, ende kemi fëmijë të cilët nuk kanë filluar të mësojnë me kurrikulën e re”.

Ajo thotë se do të ketë reforma dhe fillimisht do të bëhet një skanim i gjendjes. Ndërsa shton se prioritet gjatë mandatit të saj 4 vjeçar do të jetë edhe ligji i arsimit i cili është i pa aprovuar.

“Normalisht rishikimi i kurrikulës, rishikimi edhe i librave në përgjithësi do të jenë disa nga prioritetet.

Patjetër që do të ketë reforma por fillimisht duhet të bëhet një skanim i gjendjes me pa çka ka në arsim që nuk po funksionon dhe mandej do të vendosim.

Prioritet tjetër, ju e dini që ligji i arsimit është i pa aprovuar të gjitha ligjet që kanë qenë në kuvend, i kthehen qeverisë edhe një herë.

Duhet të fillojmë procedurat që nga fillimi është e natyrës që të kemi konsultime publike lidhur me ligjin me të gjithë akterët në fushën e arsimit, do të bëjmë përpjekje që do të bëjmë përpjekje që ky ligj sa më shpejtë të kaloj në Kuvendin e Kosovës dhe gjithashtu të kemi një harmonizim të plotë të udhëzimeve administrative dhe akteve të tjera nënligjore me ligjet të cilat janë në fuqi”.

“Për të siguruar pavarësi të plotë të institucioneve ndoshta do të duhet të ndërrojmë edhe ligjet e tjera siç është ligji për agjencionin e akreditimit dhe të tjera.

Nuk do të thotë që ligjet janë pengesë për ti depolitizuar institucionet, po ndoshta duhet të marrim masa në mënyrë që ato të ndalohen me ligj, depolitizimi të ndalohet me ligj në mënyrë që gjëra të tilla të mos ndodhin asnjëherë në të ardhmen”, deklaroi ajo.

Sektori i arsimit është shoqëruar me sfida nga më të ndryshmet. Pas përjashtimit të Agjencisë Kosovare për Akreditim (AKA) nga regjistri Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) në shkurt të vitit 2018, Kosova u përjashtua edhe nga Asociacioni Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) në shtator të vitit 2019.Të gjitha këto erdhën si pasojë e ndërhyrjeve politike në sektorin e arsimit./eo/