Ministrja kosovare e zhgënyer me Mogherinin: prisja më shumë nga ajo

Ministrja e Integrimit Evropian në Qeverinë e Kosovës, Dhurata Hoxha, nuk është e kënaqur me punën e deritanishme të Mogherinit në raport me shtetin më të ri në Evropë.

Hoxha ka pakënaqësi të mëdha sidomos për çështjen e vizave me BE-në, por edhe për procesin eurointegrues.

“Lidhur me çështjen tonë integruese kemi edhe përparime, edhe ngecje gjatë mandatit të saj. A është bërë mjaft, mendoj se ka mundur të bëhet edhe më shumë. Qytetarët tanë duan prova brenda kësaj politike. Ne kemi dhënë prova se jemi më pro evropianë sesa shumë vende të BE-së. Për fat të keq rreziqet globale, politika e jashtme e BE-së sikur nuk i sheh, ndërsa padrejtësia për liberalizimin e vizave ka mundur të trajtohet konform të të arriturave”, ka thënë Hoxha për “Zërin”.

Sipas saj, ishin pikërisht deklaratat e Mogherinit dhe të zyrtarëve të BE-së të cilat rritën pritjet e politikanëve, por edhe të qytetarëve kosovarë për heqjen e vizave.

“Roli i Mogherinit ka qenë i madh, por ne kemi pritur më shumë. Kemi pasur mjaft arsye dhe argumente për këtë. Dihet se çfarë kanë deklaruar eprorët e lartë të BE-së për vizat edhe zonja Mogherini, gjë që solli edhe një vonesë, të cilën ne nuk po mund ta adresojmë. Ne kemi kryer detyrat tona me bashkësinë ndërkombëtare, kemi zbatuar reformat, MSA-në dhe një varg veprimesh përafruese me BE-në. Kemi sfida, por kemi nevojë për më shumë përkrahje nga mekanizmat evropianë”, ka shtuar Hoxha.