Miratohet në lexim të parë buxheti për vitin 2020

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në lexim të parë buxhetin për vitin 2020, me 63 vota pro.

Ministri i Financave, Besnik Bislimi ka thënë se rritja e të hyrave me këtë buxhet do të jetë 6.9%, e që nënkupton 139 milionë euro më shumë.

Po ashtu, shpenzimet do të rriten për 12% apo 266 milionë euro.

Urgjenca e miratimit të buxhetit gjatë ditës së sotme lidhet me shpenzimin e mjeteve të ndara për luftën kundër koronavirusit.

Ndërkaq, këtë formë të miratimit të buxhetit nuk e ka përkrahur opozita.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se ky buxhet po tentohet të kalohet në formë klandestine. Ai ka shtuar se edhe shuma e ndarë nga qeveria e Kosovës, 10 milionë euro, për luftën kundër koronavirusit është shumë e vogël.

Përkrahje nuk ka gjetur as nga Nisma e AAK .