Mirupafshim Katar, shihemi pas 4 vitesh në SHBA, Kanada dhe Meksikë me 48 ekipe/ Do të luhen 104 ndeshje në 33 ditë…

Pas Kupës së Vogël më të vogël të historisë në Katar, tani do të bëhemi gati për më të madhen. Qiellgërvishtësit e Dohas, stadiumet shkëlqyes dhe metrotë vezulluese tani janë e shkuara e futbollit. Pavarësisht fjalimeve “futbolli i bashkon njerëzit”, e vërteta është se edhe FIFA do të jetë e lumtur që t’i thotë lamtumirë Katarit, pas aq shumë polemikash dhe kritikash.

Edhe përpara se të paketoheshin valixhet, kishte nisur të mendohej për turnen e 23-të të Kupës së Botës. Një Botëror që do të organizohet në tri shtete të ndryshme dhe jo në një qytet. Në 16 stadiume, të ndara në katër zona të ndryshme, orare dhe mijëra km larg. Kupa e ardhshme e Botës do të jetë me 48 skuadra dhe jo më me 32 sa ishte norma prej turneut të 1998-ës në Francë. Do të ketë më shumë ekipe nga Afrika, Azia dhe Amerikat.

Dhe për herë të parë, një vend i garantuar për Oqeaninë. E sigurt është se do të jenë në total 104 ndeshje dhe turneu do të zhvillohet në harkun e 33 ditëve. Grupet do të jenë 12 me nga katër skuadra, por ajo që mbetet mister është formula për fazën e ardhshme. Mënyra më e thjesht do të ishte që dy të parat dhe të tetë skuadrat e treta më të mira të arrinin në 32 ekipet e kualifikuara dhe për ta fituar Botërorin nuk do të mjaftojnë më 7 ndeshje, por 8.

Ka ende një debat, nëse 8 fitueset më të mira të grupeve duhet të kualifikohen automatikisht në 1/8-at, ndërsa katër ekipet e tjera fituese të grupeve plus tetë skuadrat e dyta, duhet të luajnë në “play off” për t’iu bashkuar. Kjo do të thotë se në fund do të kemi 96 ndeshje dhe jo 104, por sërish ky do të mbetej Botërori me më shumë ndeshje i historisë, nga 64 që pamë në Katar. Botërori i fundit u zhvillua në 29 ditë, me katër ndeshje në ditë gjatë fazës së parë të grupeve.

Por klubet e mëdha europiane do t’i ushtrojnë presion të madh FIFA-s për të parandaluar zgjatjen e turneut në më shumë ditë dhe maksimumi 33. Zgjidhja për këtë është e qartë, do të ketë çdo ditë 6 ndeshje në raundin e parë, pavarësisht se gjeografia do të ndryshojë. Për shembull, në qytetet e Bregut Lindor si Nju Jorku dhe Bostoni diferenca me orën tonë është -6, ndërsa Siatëlli, Los Anxhelesi dhe San Françisko janë edhe 4 orë të tjera pas.

Një skenar do të ishte që ndeshja e parë e turneut të niste për shembull në Toronto në mesditë me orën lokale dhe në Shqipëri do të ishte 18:00. Ndeshjet mund të nisnin çdo dy orë e gjysmë në Atlanta, Hjuston, Meksikë dhe Vankuver. Por ka ende një problem për “FIFA”-n. Transmetuesit e vendeve kryesore europiane do të kërkojnë që ndeshjet të nisin më herët, por nuk mund të luajnë Spanja, Gjermania, Anglia, Franca, Portugalia dhe Holanda të gjitha në të njëjtën fashë. Edhe tifozët në Amerikën e Jugut do të preferonin ndeshje më të vona.

FIFA tentoi ta justifikonte zgjedhjen në Katar me distancat e kufizuara që duhet të udhëtonin skuadrat gjë që nuk do të ndoste as ambientin. Por në 2026-ën, në turneun që do të zhvillohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA, lëvizja do të bëhet me avionë. Është e pamundur për të marrë trenin nga Nju Jorku në Boston, le të mendosh për Siatëllin. Por kjo është diçka që Xhani Infantino me shokë duhet ta zgjidhin dhe nuk do të jetë e lehtë.

PANORAMASPORT.AL