Molliqaj: Ata që donin shkarkimin e Rikalos, sot nga xhelozia për PSD-në kanë ndryshuar qëndrim

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se Ministri i Bujqësisë, Nenad Rikalo, nuk u shkarkua as kur u protestua dhe u organizua mocion në Kuvend, kundër tij.
“Për shkarkimin e ministrit Rikalo u organizuan protesta e mocion në Kuvendin e Kosovës, por pavarësisht këtyre, ai vazhdoi ta mbante postin e ministrit”.
“Falë Partisë Socialdemokrate, Rikalo sot u shkarkua dhe njëkohësisht po pamundësohet ndikimi i Listës Serbe në shtetin tonë, sepse tash e tutje, kjo ministri nuk do të udhëhiqet nga Lista Serbe”.
Molliqaj ka thënë se kur Rikalo u shkarkua sot, si pjesë e kushteve të PSD-së për votimin e Projektligjit për Buxhetin, ata që dikur e kundërshtonin atë tash kanë ndryshuar qëndrim për shkak të xhelozisë të suksesit të PSD-së.
“Ata që dikur ishin për shkarkimin e Rikalos, sot nga xhelozia e suksesit të partisë sonë, çuditërisht kanë ndërruar qëndrim dhe po mundohen që këtë shkarkim ta zbehin dhe ta paraqesin si të parëndësishëm”.
“Por dallimi është se ata vajtojnë, ndërsa ne arrijmë rezultate konkrete”.
Deputeti i Partisë Socialdemokrate ka thënë se fuqia e kësaj partie po shihet dita ditës.
Madje ai ka thënë se në institucionet e vendit nuk ka vend për ata që dyshohen për krime dhe keqpërdorime.
“Ministria e Bujqësisë duhet të rifunksionalizohet dhe të hetohen të gjitha keqpërdorimet milionëshe. Nuk do të ketë vend në institucionet e Kosovës për njërëzit e dyshuar për krime ndaj shqiptarëve dhe keqpërdorime milionëshe të buxhetit tonë. Urime”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e tij në Facebook.