Molliqaj: Kurti e ka pranuar Asociacionin, por po reziston për t’u dukur hero

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se s’ka marrë kurrfarë ultimatumi pas takimit me emisarët e SHBA-së dhe të BE-së dhe ka potencuar se u ka ofruar atyre mënyrën për të dalë nga kriza.

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka treguar se do t’i raportojë Shtëpisë së Bardhë gjatë të premtes së kësaj jave, rreth qëndrimit që do të marrë Qeveria e Kosovës në raport me kërkesat ndërkombëtare për de-përshkallëzim në Veri. Të njëjtën gjë e ka paralajmëruar edhe Miroslav Lajcak, i cili ka thënë se do t’i raportojë shefit të tij Josep Borell.

Sjelljen e Kurtit karshi këresave të SHBA-së dhe BE-së e ka komentuar, ish-bashkëpartiaku i tij, Dardan Molliqaj, tani kryetar i PSD-së.

Ai në një intervistë për Front Online ka thënë se kryeministri Kurti tani veçse e ka pranuar Asociacionin, ndërkaq “rezistencën” e tij në ballë me kërkesat e SHBA-së dhe BE-së thotë se po e bënë për t’u dukur hero.

“Dje na u konfirmua që Kurti e ka në tavolinën e tij draft-statutin e Asociacionit, të cilin e ka pranuar me marrëveshje të Ohrit e Plan të Zbatimit. Kësisoj mund ta kuptojmë edhe tensionin në veri. Kurtit po i nevojitet që me çdo kusht të duket heroi që rezistoi Asociacionin dhe që pranimi i tij nuk e zbeh gjithçka që ai ka përfaqësuar politikisht në historikun e tij”, u shpreh ai për Front Online.

Molliqaj: Kurti po e pranon Asociacionin me piskama e tensionim në veri

Molliqaj thotë se pranimin e Asociacionit, Kurti po e bënë me piskama e tensionim të situatës në veri të Kosovës.

“Fatkeqësisht, ai ka pranuar Asociacionin. Atë pranim po e bënë me tensionim situate e piskama të sovranizmit. Prandaj është jashtëzakonisht e rëndësishme që Asociacioni të kundërshtohet me çdo kusht, edhe nëse kjo nënkupton që ky kryeministër të jep dorëheqje qysh tani. Nuk mund të rrezikojmë implementimin e Asociacionit sepse kjo marrëveshje sjell vetëm konflikte të reja, e jo paqe të përhershme”, u shpreh Molliqaj për Front Online.

Ish-bashkëpartiaku i Kurtit, Dardan Molliqaj thotë se Kosova do të përballet me sanksione të tjera nga SHBA nëse vazhdojnë tensionet në veri.

Tensione në veri, Molliqaj thotë se kanë ndodhur për një arsye.

“Tashmë na është bërë e qartë që Kosova do të përballet me sanksione të mëdha nëse tensionimi në veri vazhdon siç ka filluar para 1 jave. Por, duhet ta kemi të qartë që ky tensionim nuk mund të analizohet e shtjellohet si veprim në vete. Ai ndodhi për një arsye. Jo pse pushteti e Kushtetutën, sepse e dijmë që nuk e respekton, jo pse pushteti njëmend e shtriu sovranitetin në veri, sepse e dijmë që kjo nuk ka ndodhur, por sepse këta dëshirojnë ta bëjnë të pranueshëm e të pashmangshëm Asociacionin pa u dukur që kanë humbur petkun e tyre revolucionar”, u shpreh Molliqaj në një përgjigje për Front Online.

Molliqaj: Kurti duhet të jap dorëheqje, kështu mund të ketë paqe mes dy shteteve

“Fajtor” për zhvillimet në veri, sipas Dardan Molliqajt, është vetëm kryeministri Kurti, andaj duhet të jap edhe dorëheqje.

Vetëm kështu, Molliqaj thotë se mund të ketë paqe me dy vendeve.

“Ky kryeministër e ka sjellur situatën deri këtu ku është. Por, Asociacionin nuk duhet ta implementoj. Kurti duhet të dorëhiqet menjëherë ashtu që Kosovës t’i ofrohet një konceptim i ri i dialogut Kosovë-Serbi, që fokusin e ka mbyllja e çdo konflikti të hapur në mes të Kosovës dhe Serbisë, tek njohja e pavarësisë së Kosovës dhe paqja e përhershme në mes të dy vendeve”, deklaroi për Front Online Dardan Molliqaj.

‘Krisja’ e raporteve Kosovë-ShBA, Molliqaj: Kurti ta bartë në kurriz, t’i kërkohet përgjegjësi

‘Krisja’ e raporteve mes Kosovës e SHBA-së, është e dukshme.

E këtë, Molliqaj thotë duhet ta bartë në kurriz Albin Kurti.

“SH.B.A-të në asnjë moment tjetër në historikun e vonshëm të Kosovës nuk kanë qenë më serioz e direkt ndaj kërkesave të tyre që i kanë për qeverinë e Kosovës. Pasoja e kësaj sigurisht është nga kjo qeveri; shpërfillja që Kurti ia bënë rregullisht bashkësisë ndërkombëtare, si me rastin e targave e tani të kryetarëve të komunave, e deri tek deklaratat ekstremiste, si në e rastin e Sekretarit Blinken. Sigurisht, në përplasje të tilla të mëdha, krisjet janë të dukshme dhe afatgjate. Ato krisje i bartë në kurrizin e tij Kurti dhe për to duhet t’i kërkohet llogari dhe përgjegjësi”, u shpreh Molliqaj për Front Online.

Zyrtarët ndërkombëtarë kanë dalë së fundmi me tri kërkesa për Qeverinë e Kosovës, shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.