Sokol Halili vdiq teksa po transportohej për në spital, kryeprokurori jep detaje

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari ka thënë se Sokol Halili i dyshuari për vrasjen e Hamide Magashit ka vdekur rrugës për në Emergjencë.

“Sokol Halili është vrarë në shtëpinë e tij. Mjeku në Emergjencë e ka konstatua vdekjen e tij. Ai direkt është dërguar për në Emergjencë pasi që kishte shenja jete, duke e dërguar atje ka vdekur”, tha ai.

Ndërkohë sot në varrezat e reja të fshatit Lugaxhi të Lipjanit është varrosur shtatzëna 35-vjeçare, e cila u vra nga ish-bashkëshorti i saj.

Të shumtë familjarë, qytetarë kanë marrë pjesë në varrimin e së ndjerës, e cila dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti i saj.

Në varrim kanë marrë pjesë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti dhe ai i Shtimes, Qemajl Aliu.

Mbrëmjen e së mërkurës, një burrë (Sokol Halili) ka vrarë ish-bashkëshorten e tij shtatzënë në oborrin e objektit të Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë. Gruaja shtatzënë, siç është raportuar, ka qenë duke pritur për të lindur. Gjykata Themelore e Ferizajt, ka njoftuar se ka pasur urdhër-mbrojtje ndaj 35-vjeçares, e cila është vrarë në oborrin e QKUK-së.