Molliqaj: Kurti ka degraduar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka vlerësuar se qasja kokëfortë e kryeministrit Albin Kurti në dialog me Serbinë ka qenë e gabuar dhe e ka degraduar pozicionin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me ShBA-në.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Molliqaj thotë se drejtimi që ka marrë procesi i dialogut është shumë i rrezikshëm, jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen e Kosovës. “Për shkak se e ke pranuar logjikën e shtimit të drejtave, formalisht të serbëve në Kosovë e realisht të Serbisë në Kosovë”.

“Kurti me këtë negociim që e ka bërë për këto dy vite të qeverisjes së tij, me bashkësinë ndërkombëtare dhe Serbinë, e ka degraduar pozicionin e Kosovës edhe në raport me ndërkombëtarët, edhe në raport me Serbinë; e ka faktorizuar në mënyrë të jashtëzakonshme relacionin Serbi-Shtete të Bashkuara të Amerikës dhe në mënyrë të paparë ndonjëherë e ka përshpejtuar themelimin e entitetit politik serb në Kosovë”, ka theksuar Molliqaj.

Ai ka thënë se Plani Franko-Gjerman është vetëm në favor të Serbisë dhe nuk duhet të pranohet nga Kosova, edhe nëse pranohet nga Kurti.

“Kur të publikohet Plani Franko-Gjerman, bashkë me aneksin e zbatimit, aty do ta shihni që i ka veç dy vlera, të dyja në shërbim të Serbisë. E para, pranimi i kornizës së dialogut që s’ka me u kërku njohja, jo sot po as në të ardhmen, nga Serbia’ dhe e dyta zbatimi i Asociacionit. Çështjet e tjera janë periferike dhe të parëndësishme”, ka theksuar Molliqaj.

Tani, Molliqaj shpreh frikën se saga e dialogut do të vazhdojë edhe për shumë vite. Thotë se Kosova nuk do ta fitojë as në të ardhmen njohjen nga Serbia.

“Sa i përket procesit, ai tashmë ka marrë udhë, ka marrë drejtim. Është në drejtim shumë të rrezikshëm dhe shumë të gabuar për çështjen e Kosovës, jo vetëm për aktualitetin, por edhe për të ardhmen”.

“Prandaj nuk është debat, ose nuk do të duhej të ishte debat më në shoqërinë e Kosovës, a e pranon Kurti, po a duhet Kosova ta pranojë. A ka zgjidhje tjetër për Kosovën dhe a kemi kohë për me bë ndryshime të tilla?”

“Ne besojmë se Kosova nuk duhet me pranu, ne besojmë se ka mundësi të tjera”, ka thënë ish-bashkëpunëtori i afërt i Kurtit, me të cilin para disa vitesh ishin në ballë të protestave masive kundër “Zajednicës”, sikur e quanin atëherë.

Molliqaj thotë se PSD-ja e kishte parashikuar qe sa kohë se qasja dhe kokëfortësia e Kurtit “kinse për ta ruajtur fytyrën para votuesve të vet” do të sillte këtë situatë shumë të disfavorshme për Kosovën.

“Ka vite që ne si Parti Socialdemokrate kemi parashikuar një zhvillim negativ për Kosovën, siç është marrëveshje pa njohje nga Serbia, pa njohje nga 5 shtetet në bllok siç është pritur të Bashkimit Evropian, por me Asociacionin në qendër. Madje vitin e kaluar e kam një postim në faqen time zyrtare ku themi ‘Jo njohja në qendër, por Asociacioni në qendër’”.

“Në momentin që e ke pranuar Planin Franko-Gjerman e ke pranuar më shumë sesa Asociacionin. Asociacioni as që është në diskutim, për shkak se e ke pranuar logjikën e shtimit të drejtave, formalisht të serbëve në Kosovë e realisht të Serbisë në Kosovë”, ka thënë Molliqaj.