Molliqaj: S’ka skandal më të madh sesa me me bashkëpunu me Radojiçiq për të dëmtuar veteranët

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, duke folur rreth audio-incizimeve të bisedës mes shefes së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusari Lila me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, ka thënë se deputetja ka komunikuar me njeriun që është njeri prej keqbërësve më të mëdhenjë në Kosovë, me njeriun e shpallur non-grata nga SHBA-ja.

“Ti ke fol për koordinimin me 12 deputetë të Kuvendit të Kosovës, sa herë që janë koordinu me Listën Serbe ata kanë folur me Milan Radojiçiq dhe kjo i bjen që këta kanë kërkuar nga ai mbështetje politike me i përjashtu luftëtarët e UÇK-së nga një rritje prej 50 euro nga rritja e pages minimale”, tha Molliqaj në Kanal 10.

Sipas tij nuk ka skandal më të madh.

“Unë kam qenë në protestë me veteranët kur është votuar që veteranët të ndahen nga paga minimale dhe unë e di që është mbështetë nga Lista Serbe dhe kalu me mbështetjen e tyre”, tha Molliqaj.

Molliqaj tha tutje se ka menduar që Lista Serbe natyrshëm do me i ndëshku ish luftëtarët e UÇK-së, por ja që doli koordinim i Kurtit me Radojiçiq përnes Mimoza Kusarit dhe Simiq.

Ai Simiqin dhe Kusarin i ka quajtur postierë, të deleguar nga Kurti dhe Radojiçiq.