Momenti kur vëllai i deputetes u aksidentua për vdekje në tunel me 146 km/h, dyshohet se ishte i përgjumur (video)

REPORT TV ka siguruar videon ekskluzive të momentit kur Elton Macolli dy netë më parë u aksidentua për vdekje në tunelin e Elbasanit me makinën me të cilën po udhëtonte me shpejtësi 146 km/h. Aksidenti ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në orën 20:19:25, teksa Mucolli ishte duke udhëtuar nga Tirana në drejtim të qytetit të Elbasanit.

Në pamjet e siguruara ekskluzivisht nga Report Tv, duket momenti kur vëllai i deputetes socialiste Blerina Gjylameti si pasojë e shpejtësisë së madhe, tej normave të lejuara që po lëvizte brenda tunelit të aksit Elbasan -Tiranë godet nga pas një maune të tonazhit të lartë, pra nuk ka pasur parakalim të gabuar.

Goditja e fortë ka qenë fatale për Macollin, pasi makina e tij tip ‘Seat’ e modifikuar nga benzinë në impiant gazi u shkatërrua plotësisht duke i marrë jetën. Sipas policisë dyshimet kryesore janë se Elton Macolli mund të ketë qenë i përgjumur në momentin e aksidentit, pasi nuk ka arritur që të frenojë ose nuk kanë funksionuar, por nuk përjashtohet edhe mundësia që të ketë qenë me telefon në duar.

Edhe ndërhyrja me shpejtësi e zjarrfikëses nuk mundi ti shpëtonte jetën 37-vjeçarit, pasi goditja ishte shumë e fortë si pasojë e shpejtësisë, 66 km/ h mbi normën e lejuar. Elton Maçolli punonte pranë bazës ajrorë të helikopterëve në Farkë, ndërsa ditën e djeshme u përcoll për në banesën e fundit.

Pak kohë më parë në hyrje të tunelit qëndronte një patrullë policie, por është hequr. Nëse do të ishte prania e tyre do të kishte një impakt tjetër te drejtuesit e makinave që do të respektonin shpejtësinë e lejuar. Ky ishte aksidenti i parë me një jetë të humbur që ndodhi brenda tunelit të Elbasanit.