Moti javor

Më në fund vërehen qartë shenjat e para të vjeshtës dhe këtë do ta ndjejmë gjatë kësaj jave, kur pas një kohe mjaft të gjatë do të kemi ulje të ndjeshme të temperaturave, megjithatë nuk do të mungojë edhe moti i nxehtë herë pas here. Në përgjithësi pritet një javë me mot të ndryshueshëm dhe këtë do ta kushtëzojnë masat ajrore me veti të ndryshme fizike.

Dy ditët e para të javës do të jemi ende nën ndikimin e masave ajrore të nxehta por do të vërehet tendenca e uljes graduale të temperaturave në shumë rajone. Në Kosovë nuk priten të reshura deri të martën në mbrëmje apo natën në të mërkurën kur pritet të kemi depërtimin e një fronti të ftohtë i cili do të na sjellë ca reshje shiu dhe ulje të ndjeshme të temperaturave.

Për dallim nga Kosova, Shqipëria që nga nesër do të ketë të reshura edhe pse reshjet nuk do të jenë gjithëpërfshirëse por të karakterit lokal dhe do të jenë në formë të rrebeshe lokale me vetëtima dhe bubullimë.

Të mërkurën në tërë rajonin pritet të jetë më freskët veçanërisht në viset kontinentale. Nxehtësia do të mbetet në viset bregdetare, ndoshta edhe atje do të vërehet tendenca e uljeve të temperaturave. Në perëndim, jug dhe juglindje të Shqipërisë mund të ketë rrebeshe të fuqishme lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Të enjtën dhe të premtën do të jetë pak më nxehtë në nivel rajoni dhe pritet mot me intervale kohore me diell dhe vranësira kalimtare. Nuk priten reshje me ndonjë përjashtim veçanërisht në disa vise të Shqipërisë.

Reshjet atmosferike do të rikthehen në fundjavë në tërë rajonin tonë dhe pritet të jenë më intensive.

Ishte ky parashikimi i motit sipas ecurive aktuale sinoptike dhe ka shumë shanse që gjatë kësaj jave të ketë ndryshime në parashikim dhe kjo po ndodh për shkak të Uraganit gjigand Dorian i cili po shkakton konfusion në modelet globale kompjuterike për parashikim të motit dhe mjaft kokëçarje te meteorologët. Gjithsesi për çdo ndryshim eventual ne do tju njoftojmë me kohë në postimet tona të përditshme.