Moti nesër dhe ditëve në vazhdim

Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht me diell, por edhe me vranësira të pakta lokale në disa rajone.

Mëngjesi pritet të jetë mjaft i ftohtë, me temperatura nga – 3 deri në -10 gradë Celsius, ndërsa gjatë ditës temperatura maksimale pritet të luhaten nga 1 deri në 5 gradë Celsius.

Në Shqipëri dhe tërë rajonin nesër pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të pakta lokale. Mëngjesi pritet të jetë i ftohtë në tërë rajonin, ndërsa dita kryesisht stabile dhe këndshme dimërore.

Të enjtën rritje e temperaturave dhe fuqizim gradual i erërave jugperëndimore. Pasdite do të ketë edhe shtim të vranësirave. Në mbrëmje riga shiu në Shqipëri dhe fjolla bore në lindje dhe veri të vendit. Gjatë natës në Kosovë pritet të fillojnë reshjet e borës të cilat pritet të jenë të qëndrueshme të përcjellura me erëra të ftohta nga veriu.

Të premtën na pret mot i vërtetë dimëror me reshje bore në Kosovë, Maqedoninë Veriore, Shqipërinë kontinentale (kryesisht në lindje,juglindje dhe veri të vendit), veri të Malit të Zi dhe Luginën e Preshevës. Pasdite ose në mbrëmje reshjet e borës do të pushojnë, fillimisht në Kosovë, pastaj në tërë rajonin. Do të pasoi ulja e temperaturave dhe pritet acar dimëror gjatë fundjavës me rrebeshe të herëpashershme bore kryesisht në disa vise të Kosovës./MeteoBallkan