Moti nesër dhe ditëve në vazhdim

Nesër në Kosovë pritet të mbajë mot me intervale të gjata kohore me diell dhe vranësira lokale. Në mbrëmje shtim i madh i vranësirave dhe gjatë natës do të fillojë të bie borë. Në orët e hershme të mëngjesit të së martës priten reshje të dendura bore.

Në Shqipëri dhe tërë rajonin nesër pritet të mbajë mot me intervale të gjata kohore me diell dhe vranësira të pakta lokale. Gjatë natës do të vijnë vranësira të dendura me reshje shiu në perëndim e bore në veri, verilindje, lindje dhe juglindje si dhe në shumë vise malore.

Mot me intervale kohore me diell nesër pritet edhe në Maqedoninë Veriore, Luginën e Preshevës dhe Mal të Zi. Gjatë natës reshje të dendura shiu e bore. Në Maqedoni reshjet pritet të arrijnë në orët e mëngjesit të së martës.

Të martën na pret ditë e vërtet dimërore me reshje bore sidomos në mëngjes dhe paradite. Reshje bore priten në Kosovë, veri të Malit të Zi, veri- lindje dhe juglindje të Shqipërisë dhe Maqedoninë Veriore. Reshje bore mund të ketë edhe në pjesët qendrore dhe jugore të Shqipërisë, sidomos në viset kodrinore-malore, por nuk perjashtohen edhe disa ultësira.

Pasditën e së martës reshjet do të fillojnë të dobësohen së pari në Kosovë dhe veri të Shqipërisë e pastaj gradualisht në tërë rajonin.

Nga e mërkura na pret mot me intervale kohore me diell dhe vranësira lokale. Netët dhe mëngjeset pritet të jenë mjaft të ftohta dhe me acar polar sidomos në zonat e mbuluara nga bora. Gjatë ditës së enjte pritet edhe një front i ftohtë me shtim kalimtar të vranësirave dhe reshje lokale bore kryesisht në Kosovë./Meteoballkan