Moti nesër dhe ditëve në vazhdim në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi

Masa të fuqishme të ftohta ajrore kanë depërtuar tani në rajonin tonë ku ka edhe reshje lokale bore të intensitet mesatar dhe të dobët. Gjatë 24 orëve të ardhshme pritet depërtim i mëtutjeshëm i masave ajrore të ftohta nga Evropa verilindore në drejtim të Kosovës dhe Shqipërisë.

Nesër në Kosovë do të mbajë mot i vranët dhe me reshje të herëpashershme bore. Do të jetë shumë ftohtë dhe me erëra të ftohta veriore. Reshje pak më intensive do të ketë në viset kodrinore-malore, por edhe ultësirat (jo të gjitha) do të përfitojnë reshje dekorative bore. Temperaturat do të shënojnë ulje të mëtutjeshme dhe se ajo maksimalja vështirë se do të arrijë vlerën “plus”, ndërsa ato minimale do të sillen nga -3 deri në -8 , ndërsa në viset malore minimalja mund të ulet deri në -13 gradë Celsius.

Në Shqipëri nesër do të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira të herëpashershme. Do të ketë erëra mjaft të fuqishme verilindore, ndërsa në verilindje, disa pjesë të lindjes, juglindjes dhe qendrës mund të ketë edhe reshje të herëpashershme bore të cilat do të koncentrohen në viset kodrinore-malore.

Në Maqedoni nesër pritet të mbajë mot me vranësira dhe reshje lokale bore, ndërsa në Mal të Zi jugu do të jetë i thatë dhe pa reshje ndërsa veriu i vendit me reshje bore.

Pasnesër në tërë rajonin do të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira. Do të jetë shumë ftohtë dhe me acar të theksuar gjatë natës dhe mëngjesit. Reshjet do të pushojnë në mëngjes por ende në disa rajone mund të ketë fjolla të herëpashershme bore. Gjatë natës në Kosovë erërat do të qetësohen por do të ketë acar.

Të martën pas një mëngjesi me acar të theksuar gjatë ditës priten ngritje të temperaturave.

Nata e ndërrimit të mot-moteve do të karakterizohet me mot të ftohtë por jo ekstrem, me mundësi për rifillimin e erërave veriore pas mesnate dhe ndonjë fjollë afatshkurtër bore kryesisht në viset kodrinore-malore./Meteoballkan/