Moti nesër dhe ditëve në vazhdim në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi

Rajoni ynë për momentin gjendet nën ndikimin e masave të fuqishme ajrore ciklonike me qendër në Detin Egje në juglindje dhe masave të fuqishme ajrore anticiklonike me qendër në Evropë në veriperëndim. Për shkak se ne gjendemi mes të këtyre dy masave gjigante ajrore kemi erëra të fuqishme.

Mirëpo nga dita e nesërme masat ajrore anticiklonike do të mbizotërojnë mbi rajonin tonë dhe në këtë mënyrë do të fillojë stabilizimi gradual i motit, ndërsa cikloni do të shkaktojë reshje të fuqishme shiu dhe bore në Turqi, Lindjen e Afërt dhe Lindjen e Mesme.

Nesër në Kosovë do të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira kalimtare. Në disa rajone ende mund të ketë fjolla të dobëta bore. Do të fryjnë erëra veriore dhe verilindore të cilat ende do të jenë të fuqishme herë pas here por do të vijnë duke u dobësuar. Temperaturat do të shënojnë ulje të mëtutjeshme dhe ato minimalet natën e ardhshme mund të ulën deri në -14, -15 gradë Celsius në viset malore, ndërsa rreth – 8, -10 gradë Celsius në viset tjera.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi nesër do të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira kalimtare. Do të ketë erëra herë pas here të fuqishme nga veriu dhe verilindja. Temperaturat do të shënojnë ulje të mëtutjeshme. Nuk priten reshje atmosferike me ndonjë përjashtim shumë të vogël.

Nga pasnesër pritet stabilizim i plotë i motit, por netët dhe mëngjeset do të jenë shumë të ftohta dhe me acar, kurse temperaturat ditore do të fillojnë të shënojnë ngritje graduale. Pasi që do të kemi dominimin e plotë të masave ajrore stabile anticiklonike nëpër lugina do të ketë gjasa për krijimin e mjegullës dhe pikërisht mjegulla eventuale do të jetë faktor determinant gjatë javës së ardhshme për temperaturat në rajone të ndryshme.

Nëse do të kemi mjegull atëherë do të jetë ftohtë nëpër lugina dhe ultësira dhe më nxehtë në viset e larta./Meteoballkan/