Moti nesër dhe në ditët në vazhdim në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi

Nesër në Kosovë do të mbajë mot kryesisht i vranët. Në mëngjes vende-vende do të ketë fjolla bore, ndërsa gjatë ditës nëpër ultësira mund të ketë ndonjë rigë të dobët shiu, kurse në viset kodrinore -malore me fjolla të herëpashershme bore. Do të vazhdojnë të fryjnë erëra herë pas here të fuqishme nga veriu dhe veriperëndimi.

Në Shqipëri nesër pritet të mbajë mot me intervale kohore të gjata me diell dhe vranësira të pakta. Në viset bregdetare pritet mot kryesisht stabil, kurse në viset kontinentale do të jetë pak më ftohtë.

Edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi nesër do të mbajë mot me intervale të gjata kohore me diell. Në veri të Malit të Zi mund të ketë fjolla të herëpashershme bore, ndërsa në verilindje të Maqedonisë mund të ketë riga shiu në viset e ulëta dhe fjolla bore në viset kodrinore-malore.

Pasnesër dhe të premtën në tërë rajonin do të mbajë mot i ngjashëm, në Kosovë herë pas here priten fjolla bore me erëra veriore dhe veriperëndimore. Temperaturat do të pësojnë ulje të mëtutjeshme graduale. Në Shqipëri do të ketë kthjellime, me vranësira të pakta kalimtare dhe me mundësi për ndonjë fjollë bore në viset malore.

Në fundjavë pritet të kemi mot të vërtetë dimëror në viset kontinentale. Priten edhe reshje të herëpashershme bore veçanërisht në Kosovë (jo në tërë territorin), veriun e Malit të Zi dhe disa pjesë kodrinore – malore të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Temperaturat do të shënojnë ulje të mëtutjeshme si pasojë e erërave të ftohta veriore dhe veriperëndimore./Meteoballkan/