Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot me intervale të gjata kohore me diell dhe mjaft i nxehtë për këtë periudhë kohore si dhe me erëra të nxehta nga juglindja. Pasdite në veriperëndim dhe perëndim të vendit ekzistojnë gjasa për vranësira të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë. Rrebeshe të izoluara lokalisht mund të ketë edhe ndonjë rajon tjetër.

Në Shqipëri sot do të mbajë mot i ndryshueshëm, nga jugu e deri në qendër e më lartë i nxehtë dhe me diell, ndërsa në veri dhe veriperëndim të vendit priten reshje intensive shiu dhe rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë. Do të ketë erëra herë pas here të fuqishme nga jugu dhe juglindja.

Në Mal të Zi sot pritet të mbajë mot mjaft jo stabil, me reshje intensive shiu dhe rrebeshe të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë, ndërsa në Maqedoninë Veriore do të mbajë mot kryesisht me diell dhe i nxehtë. Pasdite mund të ketë ndonjë rrebesh të izoluar shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Të hënën në tërë rajonin na pret ende mot i nxehtë, por pasdite në Kosovë priten zhvillime të vranësirave konvektive të cilat pritet të kushtëzojnë rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër.

Në Shqipëri të hënën pritet mot i ndryshueshëm me më shumë vranësira dhe reshje lokale shiu, ndërsa në veri dhe veriperëndim të vendit përsëri priten reshje intensive herë pas here. Edhe në Mal të Zi dhe Maqedoninë Veriore të hënën, përpos intervaleve kohore me diell priten edhe zhvillime të vranësirave të cilat do të kushtëzojnë rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër.

Të martën në tërë rajonin pritet të ketë ulje të temperaturave si dhe priten reshje lokale shiu, vende-vende rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë./Meteoballkan