Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot mjaft jo stabil ku priten zhvillime të fuqishme të vranësirave të shiut të cilat do të sjellin reshje shiu në orët e mesditës dhe pasdites. Vende-vende do të ketë edhe rrebeshe shiu me mundësi edhe për vetëtima dhe bubullimë.

Në Shqipëri do të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira. Në pjesën verilindore të vendit pasdite priten rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Edhe në Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi pritet mot i ndryshueshëm, ku pasdite priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë.

Të mërkurën dhe të enjten në tërë rajonin do të mbajë mot me intervale kohore me diell dhe vranësira. Do të jetë kryesisht thatë me ndonjë përjashtim të vogël ku mund të ketë ndonjë rigë të dobët shiu në ndonjë rajon. Priten ngritje graduale të temperaturave. Erërat jugore dhe jugperëndimore do të fillojnë të fuqizohen.

Nga e premtja destabilizim i sërishëm i motit ku fillimisht në Shqipëri priten rrebeshe shiu me vetëtima dhe bubullimë, pastaj edhe në disa rajone në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore. Në veri të Shqipërisë dhe Mal të Zi priten rrebeshe shumë të fuqishme dhe intensive shiu me vetëtima dhe bubullimë./Meteoballkan