Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot me intervale kohore diellore paradite, ndërsa gjatë ditës do të ketë shtim gradual të vranësirave. Do të fillojnë të fryjnë erëra të ftohta nga veriu dhe verilindja të cilat do të ndikojnë në uljen e temperaturave. Gjatë natës në disa vise në veri dhe veriperëndim të vendit priten reshje kryesisht të dobëta shiu dhe bore varësisht nga lartësia mbidetare.

Në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore sot pritet të mbajë mot kryesisht me diell. Gjatë natës do të ketë shtim të konsiderueshëm të vranësirave.

Të shtunën në Kosovë pritet të kemi mot kryesisht të vranët dhe mjaft të ftohtë. Po ashtu do të ketë edhe reshje të herëpashershme lokale bore. Nëpër ultësirat e Dukagjinit priten reshje të dobëta (afatshkurtra) lokale shiu, ndërsa në viset tjera përpos vendeve kodrinore-malore reshjet estetike bore mund të ketë edhe nëpër ultësira. Do të jenë këto reshjet e para të dëborës për këtë sezonë, por reshjet nuk pritet të jenë gjithëpërfshirëse.

Reshjet e para të borës të shtunën do të paraqiten edhe në veri, verilindje, lindje dhe juglindje të Shqipërisë, por nuk priten reshje të mëdha. Reshjet do të jenë të karakterit lokal dhe nuk pritet të zgjasin shumë. Në jug dhe perëndim të Shqipërisë priten reshje të dobëta shiu, ndërsa në veriperëndim dhe qendër të vendit nuk priten fare reshje. Po ashtu reshjet e para të bores të shtunën priten edhe në shumë vise të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në rajonet kodrinore-malore.

Do të jenë këto reshjet e para simbolike të borës në rajonin tonë të cilat nuk do të zgjasin shumë, ndërsa në disa vise priten edhe shtresa simbolike.

Të dielën na pret mot me intervale kohore me diell. Mëngjesi do të jetë i ftohtë dhe në disa vise me mundësi për fjolla bore, ndërsa gjatë ditës priten ngritje graduale të temperaturave.

Të hënën më nxehtë, me intervale kohore me diell dhe vranësira kalimtare./Meteoballkan