Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot me intervale të gjata kohore me diell, vranësira vende-vende dhe mjaft i ngrohtë për këtë periudhë kohore. Temperaturat maksimale do të arrijnë nga 17 deri në 19 gradë Celsius, duke mos përjashtuar mundësinë që të preket edhe shifra 20 në ndonjë rajon.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi sot pritet të mbajë mot me alternime mes vranësirave dhe intervaleve të gjata kohore me diell. Do të jetë mjaft ngrohtë për këtë periudhë kohore.

Të dielën do të vazhdojë të mbajë mot mjaft i ngrohtë në tërë rajonin tonë dhe me alternime mes vranësirave dhe intervaleve kohore me diell. Në mbrëmje vonë dhe gjatë natës pritet shtim i vranësirave dhe reshje shiu fillimisht në Shqipëri, pastaj edhe në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore. Në Mal të Zi priten reshje mjaft të fuqishme shiu. Reshje të dendura shiu priten edhe në veri të Shqipërisë dhe veriperëndim-perëndim të Kosovës.

Të hënën pritet destabilizim i motit, me reshje shiu dhe erëra jugore. Në Shqipëri lokalisht priten rrebeshe intensive shiu me vetëtima, bubullimë dhe breshër. Reshjet masive do të vazhdojnë në Mal të Zi, ndërsa valë reshjesh shiu priten edhe në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore, vende-vende intensive, por të cilat nuk do të zgjasin shumë.

Nga e marta pritet mot i paqëndrueshëm, me alternime mes vranësirave, intervaleve kohore me diell, erërave dhe rigave të shiut./Meteoballkan