Fitore Pacolli mbrëmë thoshte se njohja e Kosovës nga Xhamajka është sukses i Kurtit, sot thotë të shkarkohet Çitaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, mbrëmë pas lajmit se shteti i Xhamajkës e ka njohur shtetin e Kosovës ka deklaruar se kjo është meritë e qeverisë aktuale.

“Viti 2020 filloi mbarë. Në 2018 kishim vetëm një njohje e në 2019 kishim 0 njohje. Sot,

Xhamajka e ka njohur Republikën e Kosovës. Era e ndryshimit politik në Kosovë po ndihet edhe jashtë saj. Ky ndryshim do të sjellë njohje të reja, investime e edhe Liberalizimin e vizave”, ka shkruar mbrëmë Pacolli.

Mirëpo sot kur ministrja e jashtme e Xhamajkës Kamina J Smith, deklaroi se vendi i saj nuk e ka njohur Kosovën shtet, Pacolli kërkon që llogari të japë Vlora Çitaku.

Madje Pacolli thotë se ambasadorja Çitaku duhet të shkarkohet në rast se ky lajm del të jetë i pavërtetë.

“Kosovës tani i duhen Ambasadorë kompetent, profesional, të përgjegjshëm e në shërbim për të mirën e shtetit. Nuk kemi nevojë për Ambasadorë që shpërndajnë informata të pavërteta .Nëse vërtetë lajmi për njohje nga Xhamajka është i pavërtetë, Ambasadorja Çitaku duhet të shkarkohet menjëherë dhe t’i kërkohet llogari”, ka shkruar ajo në Facebook.

Kujtojmë se ka mbetur e paqartë nëse Xhamajka ka njohur ose jo pavarësinë e Kosovës.