Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë do të mbajë mot i nxehtë, me vranësira dhe intervale kohore me diell. Rrallë në ndonjë rajon mund të ketë ndonjë rigë apo rrebesh afatshkurtër shiu.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi sot do të mbajë mot me intervale të gjata kohore me diell dhe vranësira kalimtare. Do të ketë ngritje të temperaturave.

Nesër në tërë rajonin pritet të mbajë mot me intervale të gjata kohore me diell dhe vranësira të pakta. Do të jetë mjaft nxehtë dhe me zagushi. Do të jetë nxehtë veçanërisht në Kosovë dhe Maqedoninë Veriore. Pasdite vonë në disa pjesë të Kosovës (kryesisht në veri, veriperëndim, pjesë të qendrës dhe verilindje) priten zhvillime të fuqishme të vranësirave vertikale apo konvektive të cilat do të sjellin rrebeshe lokale shiu me vetëtima, bubullimë dhe mundësi edhe për breshër.

Të hënën pritet të mbajë mot me alternime vranësirash dhe intervaleve kohore me diell. Në disa pjesë të rajonin priten edhe rrebeshe të izoluara shiu të cilat do të shpeshtohen dhe intensifikohen gjatë natës në të martën dhe gjatë ditës së martë./Meteoballkan