Moti sot dhe ditëve në vazhdim

Sot në Kosovë pritet të mbajë mot kryesisht me diell dhe relativisht i ngrohtë gjatë ditës. Mëngjesi pritet të jetë i ftohtë dhe vende-vende me ngrica dhe mjegull. Në mbrëmje shtim i konsiderueshëm i vranësirave, ndërsa afër mesnatës pritet edhe fillimi i depërtimit të frontit të fuqishëm të ftohtë ajror nga veriu.

Në Dukagjin do të fillojnë reshje të dendura shiu, ndërsa në veri të vendit reshje intensive bore. Me uljen e temperaturave gjatë natës reshje të dendura bore priten në shumicën absolute të territorit të Republikës së Kosovës. Përjashtim mund të bëjë pjesa lindore ku reshjet e borës mund të jenë më të pakta.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore dhe Mal të Zi pritet të mbajë mot me intervale të gjata kohore me diell dhe i ngrothë, me erëra vende-vende të fuqishme nga jugu dhe perëndimi. Gjatë natës shtim i vranësirave me reshje shiu, ndërsa në verilindje të Shqipërisë reshje bore. Reshje të pakta priten në Maqedoni.

Të mërkurën na pret mot i ftohtë dimëror. Priten vranësira dhe reshje lokale bore në Kosovë. Reshje bore priten edhe në verilindje, lindje dhe juglindje të Shqipërisë si dhe në disa vise kodrinore-malore të Maqedonisë së Veriut. Paradite reshje të dendura bore priten në veri të Malit të Zi dhe shumë pjesë të Republikës së Kosovës.

Të enjtën ftohtë dhe me intervale kohore me diell. Në Kosovë mund të ketë fjolla sporadike lokale bore kryesisht në viset kodrinore-malore. Mëngjesi pritet të jetë me acar të fortë në Kosovë dhe viset kodrinore-malore të rajonit për shkak të kthjellimit të motit. Të shpresojmë që moti të mos kthjellohet dhe acari të jetë më i butë dhe më pak i dëmshëm për kulturat bujqësore dhe pemët e lulëzuara, megjithatë rreziku është mjaft i lartë.

Nga e premta përmirësim gradual i motit. Mëngjeset pritet ende të jenë me acar sidomos mëngjesi i së premtës, ndërsa temperaturat ditore shënojnë ngritje graduale, pra pritet stabilizim gradual i motit./Meteoballkan